Manifestimi kombëtar i kulturës, “Flaka e Janarit”, 2021
Poezia që fitoi Çmimin e parë
Alma ZENELLARI
KJO E DIEL…
Kjo e diel…,
Është pikëllimi i luleve të thara në muzg,
era e trishtë që ftoh gjymtyrët e zhveshur të drurëve,
ylli i rrëzuar natës së errët strehur syrit tim.
Është dhimbja ime e hirtë prej mungesës që zgjat,
Dhimbje e mohuar fashitur brinjëve,
Kjo e diel…,
është zëri yt, thirrja jote prej Ajkune flokëlëshuar,
veshur me pëlhurë prej reje.
Është malli im prej fëmije,
ushqyer me thërrime përrallash,
pyetja ime e pazëshme, shqetësimi im i pathënë…
sa kohë ke që nuk ndjen aromë vjeshte
Zana ime,
Zonjëza ime fytyrëhënë?!…
Kjo e diel …,
është hapi im i vetmuar drejt teje,
ardhja ime e pazhurmë tek ti
dil e më prit,
gjethet e rrëzuara si shpirt i vjeshtës
do t’i vë prehrit tënd duke të thënë:
A e di se të djelat më pikëllojnë?
Më pikëllojnë ndoshta,
që nga koha e ikjes së një pulëbardhe…
Kjo e diel…,
është selvia rrethuar me frymë gruaje.
Një dudi përkul degët e mallit mbi ty…
SHIFRA PERLA