Ndihmëssekretarja e Shtetit e SHBA-ve për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), znj. Kirsten D. Madison, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, realizoi edhe një vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës, ku u prit nga drejtori i Departamentit për Hetime z. Riza Shillova.
Z. Shillova në emër të Policisë së Kosovës (PK), falënderoi ndihmëssekretaren znj. Madison për vizitën e saj në Policinë e Kosovës, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar ndaj Policisë së Kosovës në fusha të ndryshme.
Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave, trajnimet dhe pajisjet e ndryshme teknike dhe teknologjike të ofruara nga SHBA-ja përmes INL dhe ICITAP, kanë ndikuar direkt në ngritjen profesionale dhe të kapaciteteve të PK-së, në arritjen e rezultateve pozitive në fusha të ndryshme të IT-së, krimeve kibernetike etj., e në veçanti në fushën e parandalimit dhe konfiskimit të narkotikëve.
PK-ja në vazhdimësi ka treguar rezultate pozitive në fushën e parandalimit të trafikimit të narkotikëve, përderisa në vitin 2018 ka treguar rezultate më të theksuara në arrestim, parandalim dhe konfiskimin e substancave të ndryshme narkotike e në veçanti në konfiskimin e 119 kg heroinë.
Ndërsa zëvendëssekretarja e Departamentit Shtetëror të SHBA-ve për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit Kirsten D. Madison e ka përgëzuar drejtorin e Hetimeve të Policisë të Kosovës z. Riza Shillova për sukseset e tyre të treguara kohëve të fundit në luftën kundër narkotikëve.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht, në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me narkotikë.