Regjimenti MSU – Karabinier nga KFOR-i Italian u ka dalë në ndihmë familjes Dushica nga Gjilani, duke shpërndarë pako ushqimore, lodra për fëmijë dhe produkte higjienike, aksion ky i ndërmjetësuar nga Kryqi i Kuq në Gjilan.
E falënderuese për këto ndihma u shpreh kryefamiljarja Zaide Lipovica Dushica, e cila theksoi se këto ndihma lehtësojnë kushtet e vështira të kësaj familje, duke siguruar ushqim për një periudhë kohore.
“Faleminderit të gjithëve, Kryqit të Kuq dhe atyre që na zgjatin dorën në këto ditë të vështira e të ftohta. Këto ndihma me ushqime na ndihmojnë ta kalojmë një kohë me ushqim, e faleminderit edhe për lodrat e fëmijëve”, ka thënë Zaide Lipovica Dushica, transmeton Portali 2LONLINE.
Me këso pako ushqimore, KFORI Italian ndihmon shumë familje në nevojë në Kosovë, ndërsa në Gjilan zbarkon pako të tilla çdo javë.
Kështu bëri të ditur, Shqipe Hoti nga Kryqi i Kuq në Gjilan. Ajo theksoi se gjatë këtij viti ata kanë ndihmuar më shumë se 200 familje nga Komuna e Gjilanit dhe bashkëpunimi do të vazhdojë. /Elife SHERIFI/