Kushtrim Kadriu do të lirojë vendin e kuvendarit për Mefail Junuzin

Kushtrim Kadriu do të lirojë vendin e kuvendarit për Mefail Junuzin

Pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që pritet të inaugurohet kah fundi i këtij muaji, do të jetë edhe Lëvizja Qytetare “Vatra”, e cila ka fituar një mandat. Realisht, bartësi i listës Kushtrim Kadriu ka fituar këtë mundësi për të qenë kuvendar, por se ai thotë për 2LONLINE, se do të tërhiqet për t’i lënë vendin kandidatit të Vatrës që ka qenë më i votuari.

Kadriu ka thënë se edhe kur ishte bërë lista konkurruese dhe ai si kryetar i Vatrës ka vendosur t’i prijë kësaj liste si bartës i saj, ua ka bërë me dije në forume partiake se secili duhet të angazhohet maksimalisht që në këtë garë të fitojë sa më shumë besimin qytetar (votën), sepse ai do të tërhiqej, pavarësisht sa ulëse do t’i fitonte “Vatra”.

Kushtrimi Kadriu thotë tani se, me tërheqjen e tij, vetëm po e mbanë fjalën e dhënë dhe se pjesë e Kuvendit Komunal nga “Vatra”, nuk do të jetë ai, por më i votuari nga Lista e Vatrës, e që në këtë rast është Mefail Junuzi.

Edhe ashtu ai thotë se ka qenë dhe është kritik ndaj ligjit që e parasheh këtë mundësi që bartësi i listës të mos “matet’, por automatikisht të fiton ulëse nëse subjekti përkatës fiton mandat. Sipas Kadriut të gjithë duhet t’i nënshtrohen garës për votë dhe më të votuarit të jenë edhe ata që mund të fitojnë mandate.

Përndryshe, Kadriu thotë se në këto zgjedhje kishte pritur rezultate më të mira dhe më shumë mandate por se edhe kalimi i pragut dhe futja në Kuvend është sukses në një komunë si Gjilani me subjekte politike mjaftë të fuqishme, ndërsa thotë të mos ketë fare dyshime se përfaqësuesi i vetëm i tyre në kuvend, Mefail Junuzi, do të jetë zë tejet i fuqishëm në mbrojtjen e kauzës që ka kjo Lëvizje Qytetare.

Përndryshe, pak më herët edhe Ilir Tahiri, nga PDK-ja, që po ashtu ishte bartës liste në subjektin e tij, kishte deklaruar publikisht se do të tërhiqej për t’i lënë vend kandidatit të radhës për kah numri i votave të fituara që është Shefik Surdulli.

E, natyrisht, për t’u bërë këto ndryshime, por edhe ndryshimet tjera eventuale që mund të bëhen te subjektet tjera, veçmas te fituesi i zgjedhjeve (LDK), pasi ndonjë kuvendar mund të bëhet pjesë e ekipit qeverisës, duhet respektuar procedurat ligjore.

KOMENTE