Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan, në kuadër të bashkëpunimit me KFOR-in turk, ka organizuar vizita në disa ferma të lopëve qumështore. Me këtë rast, fermerët e fermave në fjalë patën rastin të bashkëbisedojnë me mjekë veterinarë të KFOR-it, me drejtorin dhe me ekspertë të Drejtorisë për Bujqësi të Komunës së Gjilanit.
“Mjekët veterinarë të KFOR-it Turk LMT, pronarëve të fermave që u vizituan gjatë ditës së sotme, iu dhanë këshilla të rëndësishme lidhur me higjienën në fermë, të ushqyerit e lopëve dhe kujdesin shëndetësor ndaj lopëve qumështore. Gjithashtu, fermerët ngritën shqetësimet e tyre lidhur me sfidat me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë”, ka bërë me dije, Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë Komunale për Bujqësi dhe Pylltari.
Ai ka bërë me dije se fermerët u ndanë të kënaqur nga këshillat praktike-profesionale që morën nga pjesëtarët e KFOR-it.
Përndryshe, drejtori, Bajram Isufi, i njoftoi fermerët për projektet e këtij viti, të cilat, siç tha ai, nuk janë të pakta, duke i ftuar ata që të aplikojnë dhe bashkëpunojnë në realizimin e tyre.
“Pjesëtarët e KFOR-it u ndanë shumë të kënaqur nga vizitat që bënë dhe premtuan vazhdimin e bashkëpunimit me Drejtorinë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Gjilanit”. /2LONLINE/