Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje, më 12 korrik 2023, duke e cilësuar si tentativë të re për të cenuar pavarësinë e saj.
Gjithashtu, KPK-ja, më këtë rast, thekson se miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës, i cili njëkohësisht minon bashkëpunimin tonë për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet tona relevante të drejtësisë.
Këshilli Prokurorial, deklaron se përkundrejt asaj që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë Projektligj tejet të rëndësishëm, pa përfillur fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi dhe duke injoruar plotësisht bashkërendimin e nevojshëm me sistemin prokurorial dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.
KPK-ja, deklaron me bindje se sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore për të cilat është shprehur vullneti i angazhimit të përbashkët, porse kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim, andaj KPK-ja paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që i njëjti cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, deklaron se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial i Kosovës të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, transparente. /2LONLINE/