Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan uron për festën e Fitër Bajramit
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Nesër, më 25 Qershor 2017 është dita e parë e Fitër-Bajramit, ndaj me këtë rast, kam kënaqësinë që në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan dhe në emrin tim personal, t’i përgëzojë të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë islame, dhe t’ua uroj Fitër – Bajramin, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet dhe punët e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji në shenjë respekti ndaj krijuesit Fuqiplotë.
Festa e Fitër – Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me të madhe e shprehën edhe gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Na bashkoi adhurimi ndaj Zotit, bamirësia, mirëkuptimi, zeqati e sadakaja, si dhe solidariteti dhe përkujdesja ndaj të varfërve, ndaj nesër krenarë e ballëhapur e festojmë Fitër- Bajramin.
Në fund më lejoni që edhe njëherë t’ua uroj nga zemra Fitër- Bajramin të gjithë vëllezërve e motrave tona, kudo që gjenden.
Me fat ju qoftë festa Fitër- Bajrami!
Gjilan
24.06.2017