Organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” të premten është debatuar për temën:”Çka mendojnë luginasit e Kosovës për ndryshimin e kufijve”. Panelistët, Shaqir Shaqiri, Tahir Dalipi, Kushtrim Kadriu, Veli Kryeziu, por edhe të tjerë të pranishëm në debat, thanë se Lugina kërkon zgjidhje të drejtë e të pranueshme për atë pjesë.
Kur është në pyetje korrigjimi i kufijve, u tha se ky korrigjim ka kuptim nëse Lugina si tërësi i bashkohet Kosovës. Kosova e ka obligim institucional që të kujdeset për popullatën e Luginës dhe aktualizimi i idesë së korrigjimit të kufijve nuk është ide e re, por se zgjidhja duhet të bëhet në të mirë të Luginës.
Shaqir Shaqiri, panelist, tha se po dëshirojnë ta marrim të drejtën që u takon dhe se korrigjimi i kufirit ka kuptim vetëm kur ndodhë bashkimi i Luginës si tërësi me Kosovën dhe jo duke e ndarë Luginën.
Ai tha se presidenti Thaçi e ka specifikuar idenë kur ka thënë korrigjimi i kufijve duke bërë të ditur se këtu nuk kemi të bëjmë as me ndarje të territorit të Kosovës e as me shkëmbim territoresh. por bashkim të Luginës me Kosovën.
Ai më tej shtoi se shqiptarët e Luginës e kanë përcjellë proces pas procesi idenë e bashkimit. Ai ka përmendur kontributin e shqiptarëve të Luginës nëpër histori. Ideja e Thaçit nuk është ide personale por ide që bartet brez pas brezi nga shqiptarët e Luginës e artikuluar tani edhe nga institucionet e Kosovës. përkatësisht nga presidenti i Kosovës.
Shaqiri më tej tha se shqiptarët e Luginës nuk do të pajtohen për një dëmtim substancial të Kosovës por nuk pajtohen as me neglizhencën karshi obligimeve që duhet të kenë institucionet e Kosovës për shqiptarët e Luginës.
Kurse, Kushtrim Kadriu nga Lëvizja qytetare “Vatra”. tha se çështja e Kosovës Lindore është aktualizuar kohëve të fundit sidomos me idenë e presidentit Thaçi, për korigjim të kufijve, por është ide në amulli sepse nuk qartëson shumë se çka përmban.
Kadriu tha se ideja e presidentit Thaçi është ide serioze por nëse analizohet skena politike në vend, sjellja në të kaluarën, lë shumë për të dëshiruar, sepse edhe kërkesat e mëhershme të Kosovës Lindore ishin neglizhuar dhe ishte bërë më tepër çështje për poenë politik. Ai tha se edhe në takimet e liderëve të Luginës me Thaçin s`është arritur ndonjë qartësim i kësaj ideje.
Tahir Dalipi, panelisti tjetër, tha se nuk është i befasuar me aktualizimin e kësaj çështje, sepse ideja për bashkim të Luginës me Kosovën është ide e hershme, e mbështetur në të kaluarën dhe me veprimet që kanë ndodhur siç është rasti me referendumin në Luginë.
Ai tha se kur është kërkuar më herët bashkimi i Luginës me Kosovën nuk janë shikuar kalkulimet politike, por tani është një fazë e re ku po kërkohet një marrëveshje shqiptaro- serbe e cila do të mundësonte një qetësim të rajonit. Kësaj nuk duhet t`i frikohemi sepse marrëveshja mund të arrihet dhe shqetësimet mund të jenë jo me vend. Por shqetësuese sipas tij, është se kemi qarje në qëndrim mes shtetesh siç është qëndrimi i Gjermanisë dhe i SHBA-së dhe te skena jonë politike ku kemi zëra për dhe kundër.
Dalipi ka thënë se armiqësitë kur pushojnë përfitojnë njerëzit e rëndomtë dhe hapja e perspektivës do të ishte diçka më e favorshme. Ai përfundoi se në këtë çështje e pranueshme është zgjidhja e çështjes nëse është e pranueshme për Luginën.
Veli Kryeziu ka thënë se ideja për korrigjim të kufijve, është vazhdimësi e idesë së luftëtarëve dhe dëshmorëve të UÇPMB-së, për bashkim të Luginës me Kosovën. Ai përmendi edhe referendumin për bashkim me Kosovën që duhet të jap shtytje dhe të përkrahet ideja e korrigjimin e kufijve. Luginës nuk i mbetet tjetër pos të vazhdojë bashkimin me Kosovën. “Lugina duhet ta përkrah idenë për korrigjim të kufijve duke mos e penguar interesin nacional të shqiptarëve” ka thënë ai.
Edhe debatuesit tjerë, kontribuuan në këtë debat, ku Enver Hajrullahu tha se duhet vepruar në forcimin e mekanizmave shtetëror, zhvillimin ekonomik, politik e ushtarak për të ardh më lehtë deri te një bashkim, e folësi tjetër Shaban Terziu, tha se Thaçi është kompetent për të negociuar me Serbinë, mirëpo s`ka transparencë.
Po ashtu në këtë debat u tha se spektri politik i duhet të jetë më unike ashtu siç duhet të jetë edhe ai në Kosovë kur është në pyetje çështja e Luginës dhe ideja e korrigjimit të kufijve.