Pasi ditë më parë, kishin mbajtur një grevë njëorëshe, sot punëtorët e Kompanisë “Hidromorava”, sh.a Gjilan, kanë vazhduar aktivitetin sindikal, me një grevë, tashmë dy-orësh, për të kërkuar nga Bordi i Kompanisë, stimulimin e premtuar për punëtorë.
“Dëshirojmë të ju njoftojmë se sot, më datën 14.02.2024, greva e punëtorëve të Kompanisë “Hidromorava” është mbajtur, siç ju kemi njoftuar më herët. “Megjithatë, deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Bordi i Kompanisë “Hidromorava” në lidhje me kërkesat tona për stimulimin që është premtuar…”, thuhet në njoftimin e Shoqatës Sindikale të KRU “Hidromorava”.
Sipas drejtuesve të kësaj shoqate, atyre iu ishte premtuar nga Bordi, se nëse mblidhet një kuotë e caktuar e borxheve, përgjatë vitit 2023, ata do të shpërblehen, por se përkundër që kjo është arritur, premtimin nuk po jetësohet, andaj me greva njëorëshe, e sot edhe dyorëshe, para objektit të administratës të kompanisë, po kërkohet që ky premtim të jetësohet. Aq më tepër, kur kompanitë simotra në komunat tjera, siç thonë sindikalistët, i kanë shpërblyer punëtorët e tyre, për rezultatet përgjatë 2023, dhe në Gjilan kjo nuk ka ndodhur ani se, për dallim nga të tjerët, këtu nga Bordi i Kompanisë ka qenë edhe “kushti”, për shpërblimin e premtuar, e i cili, sipas Shoqatë Sindikale, është përmbushur. /2LONLINE/