Shërbyesit Civil të Komunës së Gjilanit, i kanë adresuar sot një kërkesë Kuvendit Komunal të Gjilanit, që të merr vendim për pagesën e shujtës së ushqimit për të gjithë shërbyesit civil të punësuar në administratën komunale.
“Këtë kërkesë e parashtrojmë, duke u nisur nga ajo se sektorët e tjerë publik, si Arsimi dhe Shëndetësia këtë të drejtë e kanë realizuar dhe janë duke e realizuar, ndërsa ne duke pasur parasysh edhe rrethanat që punojmë me orar të plotë të punës 8 orë në ditë, deri më tani jemi të diskriminuar në krahasim me sektorët e lartcekur”, thuhet në kërkesën që është dorëzuar në Qendrën për Shërbim me Qytetarë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Po ashtu, në kërkesë thuhet se edhe në kohë e rrezikshmërisë më të lartë të infektimit me COVID – 19, shërbyesit civil ishin ata që administratën komunale e bënë që të jetë funksionale dhe në shërbim të qytetarëve, e ndër të paktët punëtorë të shtetit të cilët nuk kanë përfituar nga skemat e ndihmave gjatë pandemisë.
“Shërbyesit civil, jo se janë të diskriminuarit në nivel të pagave, por ata janë të diskriminuar edhe në ndihmat kompensimet shtesë në programet mbështetëse nga puna në pandemi, edhe ata punuan me palë dhe me persona të infektuar me COVID -19”, thuhet tutje në kërkesën në fjalë.
“Ne nuk jemi kundër që u kompensuan punëtorët shëndetësor dhe ata të arsimit, por kërkojmë që vlerësohet kontributi dhe përkushtimi ynë në funksionimin e administratës publike dhe në shërbim të qytetarëve.
Andaj, kërkojmë që së paku nga ana e juaj të vlerësohet kontributi dhe përkushtimi ynë në funksionimin e administratës publike dhe në shërbim të qytetarëve, duke marr vendim për lejimin e pagesës së shujtave të ushqimit për të gjithë të punësuarit në Administratën komunale për vitin 2021, në vlerë prej 2 € (dy euro) për çdo ditë pune (pranisë së punëtorit në punë)”, thuhet në fund të kësaj kërkese të 195 Shërbyesve Civil të Komunës së Gjilanit, të nënshkruar në këtë kërkesë. /2LONLINE.com/