Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që të dyshuarve A.T. (1976) dhe F.U. (1998), t’ua caktojë masën e paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Grabitja’’.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar që të pandehurit A.T. dhe F.U., më 6 shkurt 2020, në bashkëveprim me një person tjetër, tani për tani të panjohur, me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë përvetësuar pasurinë e tjetrit, në atë mënyrë që marrin një automjet – taxi dhe pasi arrijnë tek një kafene në fshatin Stanishor, njëri prej tyre del nga automjeti për të bërë një telefonatë, ndërsa, pasi hyn në automjet, e urdhëron taksistin, tani të dëmtuarin A.SH., që t’i dërgojë në fshatin Strazhë dhe pa arritur në fshat kanë urdhëruar të dëmtuarin që të ndalet dhe të dal jashtë, me ç’rast ia grabisin kuletën, telefonin dhe veturën, duke e lënë në rrugë.
Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘’Grabitja’’, nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.