Zvogëlimi i boshllëkut të shkathtësive në fuqinë punëtore përmes iniciativave të bizneseve në aftësimin e të rinjve mbetet një praktikë mjaft e nevojshme për zhvillim të mëtutjeshëm, gjithsesi nevojitet mbështetje në nxitjen e praktikave të tilla në tërë vendin.
Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua rreth iniciativave të ndërmarra nga sektori privat në zvogëlimin e hendekut të shkathtësive në Kosovë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ndër sfidat më të shpeshta që bizneset vendore hasin në operimet e tyre është boshllëku i shkathtësive tek fuqia punëtore. Ai tha se pavarësisht ndërmarrjes së iniciativave të ndryshme nga sektori privat, bizneset vazhdojnë ende të ballafaqohen me këtë cështje e cila po ndikon mjaft në operimet e tyre.
Drejtori Ekzekutiv i Cacttus Education, Besim Ilazi, tha se aftësimi i të rinjve nga ana e bizneseve edhe pse po rezulton në përfitime në aftësimin profesional të tyre, prap kjo mbetet një barrë mjaft e madhe për sektorin privat. Ilazi tha se edhe pse sektori privat ka marr rolin e udhëheqësit në zvogëlimin e boshllëkut të shkathtësive, nuk po ka mbështetje në këtë aspekt, duke bërë thirrje që të ofrohen lehtësira për bizneset në këtë drejtim.
Udhëheqësi i Qendrës së Kompetencës dhe Iniciativave Strategjike në Raiffeisen Bank Kosova, Kreshnik Halili, tha se iniciativat e ndërmarra nga kjo kompani në përgatitjen e punëtorëve kanë rezultuar në punësim të një numri të madh të tyre në këtë ndërmarrje. Ai tha se përfshirja e të rinjve në projekte me ndikim të madh në fazat e hershme të aftësimit të tyre ndikon në ngritjen e tyre profesionale, duke shtuar se përgjegjësi e tyre si biznes mbetet dhënia e një baze praktike në profesionin e të rinjve si dhe ekspozimin e tyre ndaj teknologjive të reja në sektorin bankar.
Shefi i Operimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë në RIT Kosovo, Visar Jasiqi, tha se përmes qendrës së trajnimeve dhe zhvillimit nga ky institucion kanë synuar vazhdimisht aftësimin dhe përgatitjen e individëve për tregun e punës përmes trajnimeve profesionale dhe praktikave të ndryshme, duke bërë kështu edhe transferimin e tyre në tregun e punës. Ai shtroi nevojën e një kordinimi më të madh mes bizneseve dhe institucioneve arsimore në ofrimin e mundësive të përfundimit të praktikave të ndryshme të cilat pastaj direkt reflektohen në aftësimin profesional të të rinjve duke shmangur kështu edhe largimin e tyre nga vendi.