Në Kamenicë nuk do të ketë zgjedhje të reja, pasi kërkesa e Shaip Surdullit, ish kandidat për kryetar të komunës së Kamenicës, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP),është hedhur poshtë, pasi Gjykata deklaroi kërkesën e parashtruesit të papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.
Si rrjedhojë, kryetari aktual i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati do të vazhdojë deri në fund mandatin në postin e kryetarit.
Ja vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatë, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Parashtruesi i kërkesës ishte kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: LDK) për Kryetar të Komunës së Kamenicës në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës.
Parashtruesi në kërkesën e tij pretendonte se vendimi i kontestuar i PZAP-it i ka shkelur atij “[të drejtën] e garantuar [të] lirisë individuale me Kushtetutë” për arsye, se sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte certifikuar kandidaturën Z. Qëndron Kastrati për Kryetar të Komunës së Kamenicës në kundërshtim me nenin 9 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës. Për më tepër, parashtruesi në kërkesën e tij nuk qartësoi saktësisht se cila e drejtë e garantuar me Kushtetutë i është shkelur.
Gjykata konstatoi se PZAP kishte hedhur poshtë ankesën e parashtruesit për arsye procedurale dhe nuk i ka shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të saktësuara në ankesën e tij pranë PZAP-it, pasi që PZAP-i kishte hedhur poshtë ankesën si të paafatshme.
Si rrjedhojë, Gjykata përfundoi se parashtruesi fare nuk ka saktësuar se cilat të drejta dhe liri themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur, si rrjedhojë e vendimit të lartcekur të PZAP-it ashtu siç përcaktohet me nenin 48 të Ligjit dhe, për më tepër, nuk ka mbështetur pretendimet e tij se si procedura para PZAP-it ka qenë e padrejtë apo arbitrare. Prandaj, Gjykata deklaroi kërkesën e parashtruesit të papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.