Ditë më parë, tre anëtarë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të përfaqësimeve të ndryshme politike, në mesin e tyre edhe Riza Abdyli, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, kishin dalë në një konferencë me gazetarë ku në emër të një opozite të bashkuar kanë kërkuar nga kryesuesja e Kuvendit Komunal ta thërras seancën e radhës, e cila do të duhej të jetë vazhdimësi e seancës së fundit, të jashtëzakonshme, ku do të diskutohej dhe merrej ndonjë vendim rreth lokacionit të ri për varreza, në të kundërtën, opozita nuk do të përgjigjej më në asnjë ftese për kuvend apo komitete, transmeton Portali 2LONLINE.
Shih shkrimin: Opozita: Ose vazhdim i seancës ose nuk do t’i përgjigjemi asnjë ftese për kuvend dhe komitete
Dhe, derisa pritej se cila do të ishte përgjigja e pozitës në këtë qëndrim të ri të opozitës, zhvillime të reja kanë nxjerrë në pah mosunitetin brenda PDK-së së Gjilanit, grupimit të saj në Kuvend.
Katër anëtarët e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, Hevzi Xhelili, Erlehta Osmani, Imrane Thaqi dhe Shefik Surdulli, përmes këtij të fundit, kanë adresuar në adresë të Portalit 2LONLINE.com, një deklaratë publike mbi këtë çështje.
Në këtë deklaratë, ndër tjerash, thuhet se: “Ne, shumica e anëtarëve (këshilltarëve) të Kuvendit Komunal, nga Grupi I këshilltarëve të PDK-së Dega në Gjilan, nuk pajtohemi me sjelljet dhe veprimet e deritanishme të kreut aktual të degës së PDK-së në Gjilan dhe të shefit të Grupit të këshilltarëve të PDK-së, që kanë të bëjnë me autoritetin tonë si pjesë e Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, veçanërisht me këto të fundit lidhur me projektin e varrezave të reja të qytetit”.
“Këto sjellje autoritare, destruktive me veprime konkrete të dëmshme në këtë relacion, të kreut të degës dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në KK të Gjilanit, kanë rezultuar me dëmtimin e imazhit të Degës dhe devijimin nga programi dhe identiteti i Partisë Demokratike të Kosovës, duke e futur kështu degën e PDK-së nën sqetullat e një subjekti tjetër politik, në këtë rast të LVV-së, për interesa të saja politike dhe përfitime tjera personale – ekonomike të individëve të caktuar”, thuhet tuje në këtë letër, transmeton 2LONLINE.com.
Më poshtë kemi letrën e plotë.
DEKLARATË PUBLIKE
PDK është subjekt i mëvetsishëm politik dhe si i tillë duhet të zhvillohet në konkurrencën politike përballë çdo sfide
Duke qenë pjesë aktive dhe kontributdhënës të Partisë Demokratike të Kosovës, në këtë rast edhe në cilësinë e këshilltarëve komunal, ne nuk e pranojmë nënshtrimin e Degës së PDK-së në Gjilan ndaj asnjë interesi personal të kujtdo qoftë brenda dhe jashtë saj, sikundër që nuk pranojmë nënshtrimin e saj edhe ndaj asnjë interesi politik të cilitdo qoftë subjekti tjetër politik.
Ne, shumica e anëtarëve (këshilltarëve) të Kuvendit Komunal, nga Grupi I këshilltarëve të PDK-së Dega në Gjilan, nuk pajtohemi me sjelljet dhe veprimet e deritanishme të kreut aktual të degës së PDK-së në Gjilan dhe të shefit të Grupit të këshilltarëve të PDK-së, që kanë të bëjnë me autoritetin tonë si pjesë e Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, veçanërisht me këto të fundit lidhur me projektin e varrezave të reja të qytetit.
Këto sjellje autoritare, destruktive me veprime konkrete të dëmshme në këtë relacion, të kreut të degës dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në KK të Gjilanit, kanë rezultuar me dëmtimin e imazhit të Degës dhe devijimin nga programi dhe identiteti i Partisë Demokratike të Kosovës, duke e futur kështu degën e PDK-së nën sqetullat e një subjekti tjetër politik, në këtë rast të LVV-së, për interesa të saja politike dhe përfitime tjera personale – ekonomike të individëve të caktuar.
Qëndrimi i fundit i të ashtuquajturit “Grup opozitar” lidhur me projektin e varrezave të reja të qytetit, në të cilin thirret shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, nuk përfaqëson mendimin dhe as vullnetin tonë, ngase ne as tash e as më parë nuk jemi konsultuar as pyetur paraprakisht për këtë çështje të rëndësishme, sikundër edhe për të tjerat.
Prandaj, për shkak të kësaj, ne jemi të detyruar të mos i përgjigjemi këtij qëndrimi, që e konsiderojmë joparimor, iracional dhe të njëanshëm, që shkon në dëm të Degës e PDK-së në Gjilan dhe të interesit të përgjithshëm qytetarë, përderisa nuk ndryshon kjo qasje e kreut të degës dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në KK të Gjilanit.
Deri atëherë, ne si këshilltar komunal, do të veprojmë të vetëm, duke u sjellur në harmoni me zotimet tona të përfaqësimit qytetarë dhe ato programore politike të PDK-së para votuesve tanë në interes të përgjithshëm të qytetarëve tanë dhe komunës sonë.
Prandaj, e gjithë kjo përpjekje jona është në funksion të kthimit të autoritetit të dikurshëm meritor të PDK-së që kishte përball qytetarëve të saj.
Gjilan, 15.12.2019
Të poshtnënshkruarit, anëtarët e KK në Gjilan, nga Grupi i Këshilltarëve të PDK:
Hevzi Xhelili
Erlehta Osmani
Shefik Surdulli
Imrane Thaqi