KF Dardana nga Kamenica është kubi ku u zhvillua si futbollist, Lirim Kastrati. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, të hënën nënshkroi kontratë me gjigantin kroat, Dinamo Zagreb, tek të cilët do të kalojë nga Lokomotiva e Zagrebit.
Ai do të luajë edhe gjashtë muaj tek Lokomotiva, ndërsa prej verës vesh fanellën e Dinamos.
Ish-klubi i tij, Dardana, tani ka nisur procedurat ligjore për të kërkuar përqindjen që u takon për zhvillimin e lojtarit, sipas Rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s.
“Po, e kam angazhuar avokatin gjerman të kompanisë, AC Sport Consulting, Christoph Schiller”, thotë kryetari i KF Dardana, Sevdai Kastrati.
Sipas tij, Kastrati ka luajtur për disa vjet tek Dardana.
“Lirimi tek ne ka luajtur tri vjet. Më pas ka shkuar në Arsenal të Prishtinës pak dhe prej aty tek Shkëndija e Tiranës”, shton Kastrati, i cili i uron suksese Lirimit në karrierë.