Hyrie Baftiu: Të gjitha gratë – familjare të dëshmorëve janë heroina!

Hyrie Baftiu: Të gjitha gratë – familjare të dëshmorëve janë heroina!

Në shënim të 12 Vjetorit të Pavarësisë – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dekoroi me çmimin “Heroinat e Qytetit” tri gra familjare të dëshmorëve. Në mesin e të cilave është edhe teta Hyrie (Hyrie Baftiu), ose thënë ndryshe “Zonja e Hekurt”.

Ajo ia fali Kosovës dy më të shtrenjtit e saj: Bashkëshortin prof. Sahit Baftiu i cili përpos që ishte profesor në Shkollën e Mesme të Bujqësisë ku punoi 20 vjet rresht, në të njëjtën kohe ishte në shërbim të atdheut çdo herë që vendi ishte në nevojë, si dhe të birin, Kastriotin 15 vjeç, i cili sapo kishte filluar Gjimnazin, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Megjithatë, teta Hyrie vazhdoi tutje dhe dhimbjen e fshehu në gjoks ndërsa buzëqeshje shfaqte kudo- prandaj është heroinë, është simbol I një gruaje të fuqishme, është ikonë e një Nëne shqiptare, është…sepse ajo e mundi dhimbjen dhe për 20 vjet iu shërbeu të rinjve të qytetit, sepse aty e shihte të ardhmen e vendit mes librave, ku studentët studionin në mënyrë që një ditë t’i shërbejnë vendit tonë, këtij vendi që aq shumë e deshën të rënët.

Mes rreshtave dhe falënderimeve që bëri teta Hyrie, këtë çmim ajo ia dedikon të gjitha grave familjare të dëshmorëve. Sepse si thotë ajo: ”Vetëm shpirti ynë i di këto dhimbje, prandaj të gjitha ne jemi Heroina”.

Përndryshe, ja fjalimi i plotë i Heroinës Hyrie Baftiut, para të pranishmëve në Akademinë kushtuar 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, që u mbajt në Gjilan, e ku me çmimin “Heroinat e Qytetit” u nderuan Fatime Ahmeti, Hyrie Baftiu dhe Mevlide Hyseni, gra të dëshmorëve, të tria me motivacion për kontributin e dhënë për të mirën e vendit, transmeton 2LONLINE.com.

***
Përshëndetje për të gjithë,
Faleminderit për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme qe po na bëni.

Ajo çfarë kemi dhenë ne për Kosovën nuk kompensohet me asnjë çmim, megjithatë vlerësimi juaj na bënë të kuptojmë që të gjithë bashkëndjeni me ne.

Qe nga pas lufta përkrahja e kryetarit nuk na ka munguar as edhe një herë, prandaj faleminderit kryetar.

Për mos me zgjatë më shumë, kisha dashtë me shtua veç se ky çmim nuk më përket veç mua- por është i të gjitha grave – familjare të dëshmorëve, se vetëm shpirti ynë i dinë këto dhimbje- prandaj ne të gjitha jemi Heroina.

Faleminderit të gjithëve dhe Urime 12 Vjetori i Pavarësisë

KOMENTE