Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me shefin e kabinetit, Meriton Ramabaja, kanë vazhduar me vizitat në terren ku ishte paraparë sanimi i rrugëve me asfalt.
I pari i komunës ka thënë se nga inspektimi i punëve shihet që cilësia e punimeve nuk është në nivel të duhur, dhe se ka kërkuar nga kompania që të përmirësojnë cilësinë.
“Bashkë me shefin e kabinetit Meriton Ramabaja, po vizitojmë lokalitetet ku ishte e paraparë sanimi i rrugëve me asfalt. Zyrtarë nga digasteret përkatëse janë vazhdimisht në inspektim të punëve në terren dhe nga fotot që shihen më lartë, shihet qartë që cilësia e punimeve nuk është në nivel të duhur. Kam kërkuar nga kompania që të përmirësojnë cilësinë dhe t’i rregullojnë të gjitha, në të kundërtën do iniciojmë procedurat ligjore për mos kryerje të punës”, ka thënë ai.
Kryetari Kastrati theksoi se punët duhet të bëhen mirë sepse në këtë mënyrë nuk mund të përfundojnë.
“Punët o do të bëhen mirë, o s’do të përfundojnë në këtë mënyrë! Falënderoj të gjithë qytetarët për bashkëpunimin, sepse vetëm kështu mund të bëjmë më të mirën për komunitetin”, ka shtuar ai. /2LONLINE.com/