Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami në një koferencë të përbashkët për media kanë bërë të ditur se janë harmonizuar qëndrimet lidhur me procesin e riorganizimit të shkollave në Kamenicë, me ç’rast kanë nënshkruar memorandum përmes së cilit përcaktohet forma e bashkëpunimit ndërmjet MASHTI-t dhe Komunës.
Ky memorandum, përcakton se procesi i reformës së filluar në shtator 2019 do të vazhdojë të implementohet, ndërkohë që zbatimi i vendimit të Kryetarit, i nxjerrë në muajin janar 2020 do të shtyhet.
I pari i komunës, Kastrati tha se është shumë i lumtur që kjo reformë po gjenë përkrahje.
“Jashtëzakonisht i lumtur që nisma jonë për reformë në arsim po gjenë përkrahje sepse është e drejtë. Nga sot ajo do të shërbejë për orientimin e politikave arsimore në nivel vendi”, tha ai.
Në këtë konferencë u tha se MASHTI do të investojë në rindërtimin e shkollës “Fan S. Noli”, dhe në avancimin e infrastrukturës shkollore, në hapjen e dy çerdheve duke ridestinuar objektet ekzistuese shkollore, si dhe në investimin në laboratore, kabinete, dollape për nxënës, etj.
Komuna e Kamenicës, përmes Drejtorisë Komunale të Arsimit, në bashkëpunim me Ministrinë do të përgatisë planin për kompensimin e orëve të humbura, plan i cili do të zbatohet menjëherë.