Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati është takuar me Komandantin e njësisë Jug-Lindje të KFOR-it, Daniele Bajata dhe banorët e Karaqevës. Takimi kishte për qëllim sqarimin e vendosjes së tabelës njoftuese nga ana e KFOR-it në këtë fshat.
Sipas Komandantit të KFOR-it, tabela të tilla po vendosen në gjithë territorin e Kosovës dhe shërbejnë si njoftim vetëm për ushtarët e KFOR-it dhe zyrtarët e UNMIK-ut.
Ai u pajtua që gjuha e përdorur në tabelë nuk ka qenë më e duhura dhe që duhet të ketë konsultim paraprak me komunën dhe banorët para vendosjes së tyre.
Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati i cilësoi si shumë të arsyeshme shqetësimet e banorëve.
Ai i kërkoi KFOR-it që para veprimeve të tilla të konsultohen edhe institucionet lokale.
Sipas Kastratit, hyrja e xhandarmërisë serbe në këtë pjesë është shqetësuese dhe duhet të ndalohet.
Palët në takim u dakorduan që të rishikohet lloji i tabelave që po vendosen dhe që vendosja e tyre të bëhet gjithmonë në konsultim paraprak me komunën dhe banorët.
Gjithashtu kryetari Kastrati dhe komandanti Bajata, caktuan edhe një takim konsultativ për këtë çështje.