Kapiteni i Dritës së Gjilanit, Ardian Limani, në aftin kalimtar të verës u kërkua në futbollin e Shqipërisë, por ky transferim dështoi në çastet e fundit.
Limani ka zbuluar arsyen e mostransferimit të tij në Shqipëri e që, sipas tij, nuk ndodhi për shkak të kushteve financiare.
“Kisha oferta konkrete nga Partizani i Shqipërisë, por nuk ndodhi transferimi për të vetmin arsyeje: kushtet financiare. Mendoj se Kosova i është afruar ndjeshëm tregut të Shqipërisë, andaj e ka të vështirë që të marrë lojtarë nga këtu. Këtë e dëshmon edhe ardhja e shumë lojtarëve nga Shqipëria në Kosovë”, ka deklaruar Limani.
Mbrojtësi i njohur poashtu ka konfirmuar se edhe pas afatit kalimtar të janarit, pra në sezonin pranveror, do ta djersijë fanellën e skuadrës së Dritës.
Klubi nga Gjilani i Dritës, që ishte kampion i Kosovës në edicionin 2017/2018, aktualisht pozicionohet në vendin e dytë me 18 pikë, kurse Ballkani është në vendin e parë me 20 pikë.