Ibish IBISHI
Siç u tha nga disa ansambleistë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të mbajtur me datë 02.02.2017, se kaosi i krijuar në Ecohigjenë, kryekëput ka ardhur si pasojë e papërgjegjësisë, keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve të shumta që iu kanë bërë, së pari pronës shoqërore pastaj edhe gjithë partneritetit nga ana e partnerit privat, po del të ishte konstatim i drejtë dhe real.
Në këtë seancë patëm rastin të dëgjojmë edhe ne kuvendarët, por edhe i gjithë opinioni, përpjekjet e partnerit privat për ta bindë opinionin se kinse ata kanë të drejtë dhe nuk ndihen fajtorë për situatën e krijuar në Ecohigjienë duke paraqit para opinionit të pavërtetat e tyre të sajuara dhe kjo është bërë vetëm sa për ta arsyetua veten, por në pyetjet dhe debatin e zhvilluar si dhe argumentet e paraqitura nga disa prej këshilltarëve te kuvend lidhur me keqmenaxhimin dhe rreth keqpërdorimeve të bërë nga partneri privat, sigurisht se i gjithë opinioni ka pas rastin të dëgjojë dhe të njoftohet se partneri privat nuk është sjellë korrekt dhe nuk i ka përmbushë as 10% obligimet e përcaktuara në pikat e marrëveshjes, kështu që partneri privat pa kurrfarë investimesh shfrytëzon përfiton 100% nga kapitali i kompanisë, e që konsiderohet pasuri shoqërore.
Kurrsesi nuk mund të pranohet konstatimi i gabuar nga disa individë se partnerit privat po i pamundësohet operimi apo investimi. Kjo nuk është e vërtetë sepse ata të cilët kanë qenë pjesë e asamblesë komunale mandatin e kaluar, e dinë shumë mirë dhe nuk kam çka të sqarojë për ta, por vetëm duhet ta kujtojnë se ne si organ komunal i kemi dhënë mundësi “partnerit” dhe në shenjë respekti kemi hapur dyert, si investitor i huaj, ndoshta edhe duke shkelë aty këtu ligjin vetëm për t’i treguar edhe partnerit nga Austria, por edhe gjithë publikut se jemi për partneritet dhe investitor të huaj. Por, nuk duhet dhe as nuk mund të lejojmë që partneri privat ta uzurpojë Kompaninë dhe të sillet si të ishte pronë e tij dhe ta shfrytëzoj pasurinë shoqërore ashtu siç do vet pa kurrfarë përgjegjësie as respekti ndaj organeve të komunës. Prandaj me të drejtë mund të themi se ky partner ka keqpërdorë mirësinë dhe miqësinë që i kemi ofrua për partneritet, lirisht mund të themi se edhe na tradhtoi! Mos të harrojmë se edhe para se me u lidhë ky partneritet kompania ka funksionuar, mbeturinat janë largua, hapësirat janë mirëmbajtur pa kurrfarë telashe dhe nuk mund të themi se vetëm me ardhjen e tij janë bërë këto punë. Qyteti ynë gjithmonë ka qenë një ndër qytetet më të pastërtia në Kosovë.
Ata, në tërë fjalimin e tyre në seancë asnjëherë nuk u falënderuan për mundësinë që u kemi ofrua për partneritet, me akuzat e tyre u munduan që gjithë fajin ta hedhin mbi organet e komunës duke deklaruar se nuk kanë përmbushur obligimet e tyre në investime kinse edhe komuna nuk paska kryer obligimet e saja e që nuk është e vërtetë sepse komuna nuk ka pas obligim me investua 1.450.000 Eu. por vlera e kapitalit të K.R.M. Higjiena është vlerësua 1.450.000 Eu. Këtë si duket partneri jo se nuk e ka pas të qartë por pasi që nuk ka investua vlerën prej 1.500.000 Eu ne afat trevjeçarë (2012-2015) dhe me të cilën edhe e ka fitua tenderin për PPP, tani mundohet ta arsyetoj mosgatishmërinë e tij për investim. Përndryshe komuna është treguar shumë e sinqertë sepse përveç kapitalit të ofruar për partneritet partnerit i ka sigurua edhe kontratat për grumbullim të mbeturinave në katër komuna si dhe mirëmbajtje të të gjithë hapësirave të komunës që do me thënë ia ka sigurua edhe klientelën edhe punën. Me këtë Komuna edhe ka kryer dhe tejkaluar obligimet e veta, ndërsa partneri privat jo që nuk iu ka përmbajtur marrëveshjes për investim por edhe ka keqpërdorë të mirat që ia ka ofrua Komuna e Gjilanit,
Në vazhdimësi partneri privat largoi shumë punëtorë nga puna, bëri shkelje të drejtave të punëtorëve, ka keqpërdorë mjete financiare, ka falsifikua dokumente,ka nënshkruar vendime pa u miratua në Bord të Drejtorëve, i cili është organ vendimmarrës sipas statusit të kompanisë dhe marrëveshjes mbi partneritet sepse kështu e përcakton ligji. Gjitha këto dhe shumë e shumë veprime tjera jashtëligjore dhe në kundërshtim me marëveshjen për PPP e që rregullisht i kemi paraqitë me fakte edhe në seanca të kaluara të KK-së, por edhe në këtë të fundit të mbajtur me 02.02.2017 e që si pasoje e gjitha këtyre nga Prokuroria Themelore ka të ngritur aktakuza për vepra penale ndaj Kristian Moser-it, Senad Ramajt si dhe Gerhard Dummer-it, të cilët në seancë u munduan ta shpallin fajtore komunën, ndërsa harruan se aktakuzat janë të ngritura kundër tyre dhe asnjë aktakuzë deri sot nuk kemi as kundër komunës as kundër ndonjë punëtori edhe pse kjo treshe rregullisht ka paraqes në gjykatë kallëzime panale të cilat deri tash janë refuzuar të pabaza.
Disa herë gjate seancës “partneri” privat e potencoi se nëse nuk arrijmë marrëveshje të re ne edhe mund të ndahemi miqësisht, por shtrohet pyetja si mendon të ndahet partneri miqësisht!? Kur pa asnjë investim ka shfrytëzua për 5 vite gjitha asetet e ofruara nga kompania dhe ka përfitua miliona euro dhe jo siç është e shkruar në marrëveshje 51%, por ka shfrytëzua 100% sepse nuk ka investua as edhe një cent, ndërsa mendon të ndahet miqësisht pa dhënë kurrfarë përgjegjësie dhe kurrfarëë llogarie për tërë këto veprime e keqpërdorime, sikur kujtdo t’ia kishim nënshkruar shfrytëzimin me qira K.R.M. Higjienën, Komuna shumë më shumë do të kishte përfituar, përndryshe kështu siç e ka shfrytëzua “partneri” privat cilido prej punëtorëve apo kushdo tjetër do ta kishte pranua për ta shfrytëzua, sepse ky “partner” ka arrit ta bindë partnerin publikë vetëm mbi bazën e premtimeve dhe asgjë më shumë.
Patëm rastin të dëgjojmë nga ta lloj-lloj çudira tjera të cilat vetëm sa e shtojnë dhe e forcojnë bindjen se këtij partneriteti i ka ardhur fundi sepse përveç gjitha ato të pavërteta të sajuara kur i shtojmë edhe mospërfilljen e marrëveshjes së arritur mes kryetarit dhe Dummer-it me datën 20.11.2016 për ndërprerje të grevës së atëhershme, moszbatimin e vendimeve të gjykatës për kthimin e punëtorëve të larguar, mosrespektimi i rekomandimeve të Inspektoratit të punës, dënimet në të holla për këtë, aktakuzat e ngritura kundër tyre, moszbatimin e marrëveshjes së nënshkruar mbi PPP dhe keqpërdorimin e partneritetit, për të cilat Prokuroria e shtetit ka ngritë aktakuza… shtrohet pyetja edhe çka duhet bërë ky keqpërdorues i ashtuquajtur investitor i huaj, i cili përkundër gjitha këtyre të bëmave nuk njeh asnjë organ të shtetit të Kosovës dhe nuk përfillë as marrëveshjet e arritur të cilat i kanë mundësuar operimin. Kur i shtojmë edhe mosrespektimin e propozimeve të fundit të dala në kuvend nga kryesuesja, që për mbledhje të Bordit të Drejtorëve që ishte planifikuar të mbahet me datë 03.02.2017 (të nesërmën) të ndërmerren veprime konkrete që:
1. Të zgjidhet një U.D deri në zgjedhjen e Drejtorit të ri
2. Të gjithë punëtorëve t’u vazhdohen kontratat e punës, asnjë prej tyre të mos mbetet pa kontratë dhe të vazhdojnë me punën e tyre.
3. Të nisin bisedimet për përmbushje të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2012
Kjo nuk kishte ndodhë në mbledhjen e bordit sepse Senad Ramaj thekson se ai është Drejtori, nuk ua vazhdon kontratat e punës punëtorëve, nuk ka çka të ribisedohet rreth marrëveshjes si dhe Kuvendi i Komunës nuk është kurrfarë organi i cili duhet me u respektua, kjo tregon se ky partner në një anë përveç se tregon arrogancën e tij krejtësisht është edhe i papërgjegjshëm dhe tregon qartë se ky është fundi.
Në anën tjetër nëse dikush ka interesa personale në këtë partneritet,e që dyshohet se ka individë të përfshirë është mirë që mos të bëhen pengesë e dhënies fund këtij maskarallëku, por të distancohen dhe t’i hapin rrugën zgjidhjes së këtij kaosi. Në të kundërtën, nëse vërtetohet se dikush i ka duart e përziera në këtë partneritet do të kërkojmë që të fillohet edhe me hetime, sepse nuk mund të lejojmë as si shtet dhe as si organ i komunës, të mbahet peng kjo situatë për shkak të interesave të ulëta personale…!
Asnjë problem nuk mund të mos ketë zgjidhje derisa nuk ka pengesa dhe nëse ka interesim dhe vullneti!
/autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)/