(2L ONLINE) – Pas Vitisë e Kamenicës edhe në Gjilan OJQ-Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar KCIC në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ka organizuar një debat me temën: Gatishmëria e institucioneve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor-zgjedhjet parlamentare 2014.”në kuadër të Projektit: “Vota e juaj – Vendimi i Juaj”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e votuesve që votojnë për here të pare në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të 8 qershorit 2014.
Në debat morën pjesë përfaqësues të KKZ-së, të prokurorisë, nga policia, organizatat Joqeveritare, përfaqësues të mediave dhe qytetare te tjerë, por se munguan përfaqësuesit e Subjekteve Politike( përveq PD-së), si dhe kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Fillimisht, Drejtori i Organizatës KCIC , Enver Këqiku, tha se qëllimi i këtij debati është ngritja e vetëdijes së qytetarëve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe mobilizimin e institucioneve për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ferid Shabanit nga KKZ-i Gjilanit tha se përgatitjet në Komunën e Gjilanit janë duke e zhvilluar sipas planit dinamik si dhe afateve të parapare nga ana e KQZ-së, bile siç u shpreh ai se asnjëherë deri më tani KQZ-ja , nuk i ka krye punët më mirë se sa në këto zgjedhje.
Por, ai ngriti shqetësimin në lidhje me mungesën e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve në trajnimet e organizuara nga trajnerët e KKZ-ve, ku Shabani tha se vetëm në ditën e parë nga 140 anëtarë të paraparë për trajnim, kanë munguar 40 prej tyre. Kurse në ditën e dytë prej 140 –të, kanë munguar 28 pjesëmarrës.
Ai tha se partitë politike po nominojnë njerëz pa i informuar fare se janë të nominuar nga subjektet politike dhe më pastaj ata në mungesë të informacionit po refuzojnë që të marrin pjesë në trajnime.
Shabani bërë të ditur se në këto zgjedhje do të kenë të drejtë të marrin pjesë 86 mijë votues në 33 qendra të votimit me 125 Vend Votime, Ai tha se do të punojnë edhe në sensibilizimin e qytetareve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ndryshe, Shabani tha se këtë vit si kurrë më parë është pastrua lista e votimeve, ku janë larguar mbi 200 mijë emra të të vdekurve.
Prokurori Agron Uka tha se prokuroria në bashkëpunim me Gjykatën dhe me policinë e kanë nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit, me qëllim të koordinimit veprimit të përbashkët ndaj keqpërdoruesve gjatë procesit zgjedhor.
Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara, ai tha se deri më tani 23 raste të keqpërdoruesve janë paraqitur në prokurori, ku 13 janë ndëshkuar me paraburgim, kurse 8 persona janë burgosur me burgim efektiv. Ai tha se ligji jep dënime me burgim prej 1 deri në 5 vite.
Po ashtu Uka theksoi se viti 2010 nuk do të përsëritet më, sepse siç tha ai intervenimet dhe masat e ndërmarra nga ky institucion, kanë dhënë rezultate të mira në zgjedhjet lokale 2013.
Përfaqësuesi nga Policia Maliq Hajdini tha se edhe policia ka hartuar planin operativ për ditën e zgjedhjeve dhe tha se policia vazhdimisht do te jetë në vëzhgim të këtij procesi, si para ashtu edhe gjatë ditës së zgjedhjeve.
Shaban Tërziu nga Shoqëria civile tha se po i cenohet e drejta e votimit personave nga diaspore, si dhe lypi sqarime ne lidhje me pastrimin e listave nga emrat e personave të vdekur. Po ashtu ai kritikoj ashpër mos pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga partitë politike në këtë debat.
Arbresha Këqiku, u interesua në lidhje me manipulimet e bëra në zonat rural në zgjedhjet e mëhershme dhe në këtë drejtim pyeti përfaqësuesit e policisë për masat e ndërmarra për të qenë prezentë edhe në ato lokalitete. E përfaqësuesi i policisë tha se polica edhe në ato vendbanime do të ketë ekipet e saja dhe nuk do të tolerojë askë që prish procesin zgjedhor.
Sadulla Ahmeti nga shoqëria civile u interesua se si do të veprohet me përfaqësuesit e KVV- ve të cilët nuk kanë marre pjesë në këto trajnime, kur kihet parasysh se performanca e tyre e dobët edhe në zgjedhjet e kaluara është vërejtur, ku një numër i madh i tyre kanë qenë shumë dobët të trajnuar dhe si pasojë e kësaj ata shumë lehtë janë atakuar me shkelje ligjore.
Po ashtu ai ka pyetur në lidhje me votimin e qytetareve të komunitetit serb, me dokumentacione të Serbisë ,ku siç tha ai, raste të tilla ka pas në të kaluarën sidomos në komunën e Kamenicës.
E, Ferid Shabani nga KKZ në përgjigjen e tij tha se nuk është puna e trajnimeve që nuk janë bërë mirë por se partitë politike kanë dërgua persona të papërgatitur për këtë.
Në debat kanë kontribuar me diskutimet e tyre edhe Arbenita Namani, Marigona Shabiu, Vasilika Bunaj, Xhavit Salihu, Gyner Halilie të tjerë, ndërsa në fund prokurori Agron Ukaj apeloj te të gjithë pjesëmarrësit dhe te qytetarët e tjerë që të paraqesin të gjitha rastet dhe shkeljet ligjore që ata i vërejnë gjatë procesit zgjedhor në Prokurori apo polici me qëllim të ndërmarrjes së masave të menjëhershme ndaj shkelësve të ligjit . /2L ONLINE/