Gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u prit në takim të veçantë nga homologia e tij, ministrja e mbrojtjes së Kanadasë, Anita Anand.
Me këtë rast, Ministri Mehaj i shoqëruar nga zv.komandanti i FSK-së, Gjeneralmajor Enver Cikaqi, e njoftoi Ministren Anand për avancimet që Ushtria e Republikës së Kosovës ka bërë në shumë drejtime përmes implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, dhe investimit që është bërë në blerjen e armatimeve e shkollimin e kuadrove të reja të oficerëve e ushtarakëve në përgjithësi, e me theks të veçantë hapat që janë ndërmarrë për inkuadrimin e vajzave në FSK, dhe trajnimin për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse.
Përtej kësaj, dy ministrat, diskutuan për thellimin e bashkëpunimin ndërmjet të dyja shteteve, e sidomos bashkëpunimin sa i përket misioneve të përbashkëta ushtarake, me ç’rast Ministri Mehaj shprehu gatishmërinë tonë për t’i ofruar ndihmë popullit ukrainas me kapacitetet e FSK-së, përmes trajnimeve për kërkim-shpëtim dhe deminimit.
Temë tjetër diskutimi ishte dhe rëndësia që Republika e Kosovës të anëtarësohet në BE dhe në NATO, ngase Ballkani Perëndimor më shumë se kurrë ka nevojë për shtete që përqafojnë politikat evropiane. /2LONLINE/