Në ditën memoriale të 26 korrikut për policët e rënë në krye të detyrës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, bënë homazhe para pllakës memoraiale për policët që kanë rënë në detyre, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Ndërsa Kryeministrit Kurti, ministrit Sveçla dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Hoxha, i’ua bashkuan zëvendëskryeministri, z. Besnik Bislimi, ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe djali i heroit Enver Zymeri, Sokol Zymeri, në homazhe në vendin ku është vrarë heroi i Kombit, Enver Zymeri me 26 korrik 2011.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u tha familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës se sakrifica e bijve të tyre, është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës. “Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh. Ata jetojnë në kujtimet më të mira e në përvojat më të vlefshme të kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës”, tha kryeministri.
Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë gjithmonë përkrah jush e bashkë me ju, për të ndarë së bashku përvojat më të mira e sukseset e shumta për t’u ballafaquar me çdo sfidë që mund të dalë para nesh.
Kryeministri Kurti vuri në dukje se sot në përvjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, ne jemi në vendin ku ai mori rrugën e fundit dhe kur u nis drejt shtrirjes së sovranitetit në vend, duke theksuar se për këtë nuk do të ndalet asnjëherë për të vënë dritë mbi rastin.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla theksoi se është nderë dhe krenari që sot së bashku, këtu, kujtojmë dhe nderojmë veprën heroike të 22 zyrtarëve tanë policorë të cilët ranë në kryerje të detyrës.
“Kemi zgjedhur, pikërisht këtë ditë sot, që me rastin e 12 vjetorit të rënies së Enver Zymerit, të bëjmë dhe zbulimin e pllakës së emërimit të Qendrës së Njësive Speciale me emrin e Heroit Enver Zymeri. Qendra që deri sot është quajtur ‘’Belvedere’’ nga sot do të mbajë emrin ‘’Enver Zymeri’’, si simbol i përpjekjeve të shtetit të Kosovës për të shtrirë sundimin e ligjit në çdo cep dhe për integritet e sovranitet në mbarë territorin e Kosovës”, theksoi ministri Sveçla në fjalimin e tij.
Në këtë ceremoni po ashtu foli edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, i cili theksoi se puna e policit përtej nderit e krenarisë për shërbim ndaj qytetarëve ka edhe rreziqet e veta, për të cilat sot kujtojmë policët që dhanë më të shenjtën jetën, në krye të detyre.
Ai u zotua se Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë garanate e sigurisë në Kosovë dhe për këtë kërkoi edhe më tej mbështetjen e qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës. /2LONLINE/