Shtabi Komunal Emergjent ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën pjesëmarrës ishin: Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, koordinatorja e Shtabit Emergjent, Florentina Kryeziu, Komandanti i Stacionit Policor, Florim Klaiqi, si dhe anëtarët e tjerë të shtabit.
Mbledhjen e hapi i pari i komunës, Kadri Rahimaj, i cili bëri një përmbledhje të gjendjes me pandeminë në Komunën e Kamenicës. Gjatë takimit u diskutua lidhur me situatën dhe gjendjen në shkolla, si dhe masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit.
Numri i të infektuarëve është rritur, e sidomos nëpër shkollat e Kamenicës, prandaj Shtabi Emergjent mori vendimin e themelimit të një ekipi mobil nëpër shkolla që do të bëjë testimin e nxënësve, nga e hëna e javës së ardhshme.
“Duke parë numrin e rasteve që është në rritje, është e rëndësishme që të ofrohen kushte për testim për të parandaluar përhapjen më të madhe të virusit”- tha Rahimaj.
Koordinatorja e Shtabit, Florentina Kryeziu, gjithashtu prezantoi rezultatet për numrin e rasteve, dhe tregoi se në Komunën e Kamenicës janë dhënë 31,352 doza të vaksinës. Ajo tha se ka teste të mjaftueshme për të gjithë për t’u testuar nëse shohin se kanë shenja apo simptoma të virusit.
Komandanti i Stacionit Policor, Florim Klaiqi bëri thirrje për respektim të masave duke ditur se kjo është forma e vetme e kalimit të kësaj situate.
Orari për vaksinim në Qendrën e Vaksinimit në Kamenicë: 07:00-15:00
Orari për testim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë: 07:00-21:00
Ju lusim që të rrespektoni rregullat e Institutit, duke mbrojtur kështu veten dhe të tjerët. /2LONLINE/