Të premten më 18 nëntor 2022, në kuadër të projektit ‘’Së bashku kundër abuzimit të fëmijës’’ që është duke u implementuar nga organizatat: Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me Qendrën për Studime të Avancuara (FIT) si dhe në bashkëpunim me komunën e Kamenicës, u shënua ‘’Dita Ndërkombëtare për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijës’’.
Pjesë e organizimit të këtij aktiviteti ishte edhe Drejtoria Komunale për Arsim në Kamenicë (DKA), Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) si dhe Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut në Kamenicë. Projekti financohet nga Zyra e Bashkimi Evropian.
Gjatë gjithë javës (14-18 Nëntor 2022) në shkollat e Kamenicës, psikologët, pedagogët, mësimdhënësit e artit si dhe ata të edukatës qytetare, kanë realizuar aktivitete (përgatitja e vizatimeve, posterëve, ligjërata, tryeza diskutimi etj).
Gjithashtu, ligjërata me nxënës të disa shkollave për temën e abuzimit ka realizuar edhe Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, znj. Nazmije Demolli-Kastrati. Ndërsa sot, më 18 Nëntor 2022, në shtëpinë e kulturës ‘’Isa Kastrati’’ në Kamenicë u realizua një ekspozitë me punimet e nxënësve të shkollave të Kamenicës, të cilët i prezantuan në mënyrë të mrekullueshme domethënien e punimeve të tyre.
Drejtori i DKA-së në Kamenicë, z. Afrim Dervishi, i përgëzoi nxënësit, mësimdhënësit dhe psikologët për punën e tyre të mrekullueshme, duke ofruar edhe mbështetjen e parezervë të dikasterit që ai drejton, në të gjitha aktivitetet që kanë për qëllim mirëqenien e nxënësve.
Ndërsa, drejtoresha e DKRS-së, Rinë Matoshi-Huruglica i uroi mirëseardhje nxënësve në galerinë e shtëpisë së kulturës, e cila na ka mundësuar që ta shfrytëzojmë këtë hapësirë për aktivitetin qëndror, ndërsa ekspozita do të jetë e hapur për të interesuarit deri të martën, më 22.11.2022.
Koordinatori i Projektit nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) për komunën e Kamenicës, z. Rexhep Arifi, i mirëpriti nxënësit dhe i falenderoi për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në kuadër të projektit ‘’Së bashku kundër abuzimit’’.
Ndërsa, nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, zyrtarët: Liridona Bajra dhe Durim Biqkaj, në cilësinë e anëtarëve të ekipit komunal për parandalim dhe referim të rasteve të abuzimit.ndihmuan në mbarëvajtjen e aktivitetit.
Në fund të aktivitetit, për nxënësit pjesëmarrës organizata KEC kishte siguruar nga dy libra që ishin dhuratë për punën dhe angazhimin e tyre të shkëlqyeshëm. Gjithashtu, KEC-i kishte siguruar edhe nga një shujtë ushqimi dhe pije për të gjithë nxënësit. /2LONLINE/