Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Komunën e Kamenicës, Naim Arifi, priti në takim menaxheren e projektit “Të rinjtë në Agrobiznes-Regjioni Ekonomik Lindor”, Ermelinda Haziri dhe diskutuan për detajet dhe mundësitë që jep ky projekt.
Komuna e Kamenicës është përifituese e fondeve të Bashkimit Evropian, për projektin që ka të bëjë me mbështetjen financiare dhe profesionale për të rinjtë në agrobiznes.
“Kamenica është një ndër komunat me parakushtet më të mëdha në fushën e Agribiznesit dhe zhvillimi ekonomik i Komunës së Kamenicës bëhet vetëm me krijimin e kushteve për biznese të vogla e kryesisht familjare që kanë të bëjnë me bujqësi dhe blegtori”, tha Arifi.
Sipas tij, është duke u punuar shumë që fermerëve t’u ofrojnë kushte më të mira e të domosdoshme për ta.
Ky projekt do të zgjasë 22 muaj dhe për të gjithë të rinjtë e interesuar do të ketë edhe informata të tjera shtesë.