Komuna e Kamenicës së bashku me Organizatën jo-qeveritare GERMIN, ka lansuar projektin “Invest in Kamenica” (www.investinkamenica.com). Ky projekt synon të tërheqë investimet e huaja dhe të thellojë bashkëpunimin me Diasporën nga Kamenica.
Me mbështetjen e Komunës së Kamenicës, komunitetin e biznesit, Organizatën GERMIN dhe partnerë të tjerë, synohet që përmes kësaj platforme të paraqitet potenciali socio-ekonomik i Kamenicës para investitorëve potencialë të huaj dhe nga diaspora, si dhe krijimi i lidhjeve të reja tregtare për bizneset lokale.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e komunës për të promovuar investimet nga diaspora dhe investitorët tjerë të huaj.
“Në këtë projekt kemi realizuar një hulumtim serioz të ambientit biznesor në komunën tonë. Të krijojmë platformën për investime, të ngrisim kapacitetet e sektorit privat në Kamenicë përmes ofrimit të trajnimeve të ndryshme përgatitore e certifikuese për eksport, takime Business-to-business, dhe ta finalizojmë me forumin e investimeve që do të ndodhë dikur këtë verë”, tha ai.
Sipas Kastratit, në një vend të vogël siç është Kamenica, është e padiskutueshme rëndësia e diasporës në arritjen e qëllimeve zhvillimore.
Ndërkaq, Drejtoresha Ekzekutive e GERMIN Liza Gashi, tha se platforma në fjalë do të fokusohet në ofrimin e një pasqyreje të qartë për investitorët e jashtëm dhe diasporën.
“Invest in Kamenica” do të fokusohet në ofrimin e një pasqyrë sa më të qartë për investitorët e jashtëm dhe nga Diaspora, si dhe për mundësitë zhvillimore dhe biznesore që i ofron Komuna e Kamenicës. Tërheqja e kompanive të huaja dhe nga Diaspora për të investuar në Kamenicë është një nga synimet kryesore për t’u arritur përmes këtij bashkëpunimi, siç është edhe krijimi i mundësive për të lidhur prodhuesit dhe biznesmenët vendorë me partnerë në tregjet e jashtme” – u shpreh ajo gjatë lansimit të projektit.
Zyrtari i Lartë për Promovim të Investimeve nga Agjencia për Invesimet dhe Përkrahjen e Ndërrmarësve në Kosovë Besim Jashari, lidhur me lansimi e këtij projekti tha se i çmon lartë përpjekjet e komunës dhe Germin-it për krijimin e këtyre mundësive.
“Ajo se çka na duhet neve është bashkëpunimi dhe koordinimi ndëristitucional, si në nivelin qëndror ashtu edhe në atë privat, duke mos anashkaluar shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare. Kontributi i kësaj organizate është shumë i vlefshëm dhe shpresoj se ky projekt do të jetë model edhe për komunat e tjera të Kosovës”, u shpreh ai.
E nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës Astrit Panxha, u shpreh i kënaqur që me organizata si Germini, fokusi i zhvillimit të ekonomisë nuk do të bjerë vetëm në qytete të mëdha por edhe në komuna të vogla, siç është Kamenica.
Në anën tjetër Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës Majlinda Krasniqi, falenderoi organizatën Germin për bashkëpunimin në këtë projekt. Ajo u shpreh e lumtur që përmes kësaj platforme do të promovohen mundësitë dhe ofertat për investime në Kamenicë, si dhe të krijohen lidhje ndërmjet bizneseve.
Ndërkohë, Lirim Krasniqi, Menaxher i Projektit nga Germin, prezantoi informatat më të hollësishme rreth punëve të këtij projekti, të gjeturat preliminare nga hulumtimi mbi potencialin ekonomik dhe ambientin biznesor në Kamenicë, si dhe mundësitë e organizimit të një Forumi të Bashkë-Investimeve me Diasporën gjatë këtij viti. Gjithashtu, u prezantua ueb faqja www.investinkamenica.com, e cila do të përditësohet me të dhëna rreth ambientit biznesor dhe potencialeve ekonomike të Kamenicës. Platforma Invest in Kamenica, nga sot do të shërbej si pikë kontakti dhe informacioni për të interesuarit për të investuar në Kamenicë.