PRENG MACA
KAM SHKRUAR PËR TY, KOSOVË
(Cikël poetik)
BARIU
Çdo ditë
ujku vjen e ma merr nga një qingj
në tufën time,
e unë i bie fyellit të trishtimit!
Të nesërmen,
bari në lëndinë
ka katër gjurmë më pak,
e unë i bie fyellit të trishtimit!
çdo ditë e lëshoj tufën
me një blegërimë më pak.
E mjera tufa ime!
e ujku vjen çdo ditë
e ma merr nga një qingj!
një hap më afër meje,
afrohet ai çdo ditë,
e unë i bie fyellit të trishtimit!
E fyelli,
nga dhimbja
po më kthehet në thikë!
NËN SHENJË
O Zot,
përse më fale,
kur nuk më mbron dot?Pse ma fale jetën,
kur fale armikun tim,
që ma merr?
a thua ti don me më provue mue?
(oh, ç’tmerr!)
O Zot,
kur më kanë gjuejt mue,
kanë shtënë mbi TY!
kanë gjuejt gjithë botën,
kur gjuajnë mbi Kosovën!
FLATRAT
(Poetit Agim Spahiu)
Miku im të lutem ruaju!…
Më trishtove kur më the,
se të kanë dalë flatrat
dhe me fluturime i sheh ëndrrat!
Është e vështirë të kesh flatra.
(këto gjëra të veçanta më trembin!)
kur t’i kesh ato flatra duhet t’i fshehësh,
ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,
pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme ,
të padurueshme.
do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh.
Por e pamundur o mik i vlerë!
A e di?
Nëse do t’i presësh
ti do të vdesësh.
Sa fatkeq je o njeri…
mes tokësorëve,
një flatrambajtës si ti!
ROJA
Zoti shkoi me e pa pemën e mollës
në kopshtin e Tij në Eden,
ku e kishte lënë Adamin roje.
pa mollët e këputura,
u trishtua prej kësaj grabitje
iu duk, sikur kopshtit të cënuar
i vinte, një si erë.. djalli.
kontrolloi gjithandej
dhe i gjeti mollët e vjedhura
në xhepat e Adamit.
FLIJIMI
ajo që të fala ty
ndodh veç një herë
nuk kthehet më.
lotët për ty
janë bërë gri
janë kthyer në re.
kushedi ku je, kush e di?
veç një herë të hasa
rrugës, kur nuk e dinim
se kohën po na e vidhte mëria.
(o Zot, si ndodhi kështu?)
je aq larg,
ndërsa fshehtas hyn e del pa prekur,
duke më pushtuar,
siç të pushton… pamundësia!
ATDHE
Atdheu im i pushtuar
prej …ikjeve!
cili Zot të mallkoi pasi të krijoi
dhe të la përgjithnjë
me varkën e Noes
brigjeve?!