Kafshët nganjëherë janë miqtë më të mirë dhe tashmë disa shkencëtarë të shkencave te sociologjisë pranë universiteteve të Liverpoolit, Manchesterit dhe Southamptonit kanë shkuar një hap përpara me hulumtimin që zbulon ndikimin e kafshëve shtëpiake në disponimin e njeriut.
Hulumtuesit kanë rishikuar 17 studime ndërkombëtare për ta eksploruar kualitetin, natyrën dhe nivelin e dëshmive që sugjerojnë se kafshët janë të mira për shëndetin e njerëzve.
Kështu, ata konstatuan se kafshët shtëpiake janë të mira për menaxhimin e mirëqenies mendore, e në veçanti gjatë periudhave të ndryshme të krizave.
Por, kafshët shtëpiake kanë edhe efekte negative emocionale dhe psikologjike, në veçanti kur ato ngordhin dhe pronari mërzitet.
Sidoqoftë, autorët e studimit thonë se ende duhet të kryhen hulumtime më të hollësishme për të pasur dëshmi të qarta sa i përket rolit të kafshëve shtëpiake në mirëqenien e njerëzve.