Kreu i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Kushtrim Kadriu ka kërkuar nga kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri që të angazhohet dhe fokusohet në komunën në të cilën është kryetar, e jo me çështje të tjera partiake në Prishtinë. Ai kërkoi që në fokus të kryetarit të jetë edhe angazhimi që e diela në këtë komunë të jetë ditë pushimi edhe për sektorin privat.
Në këtë kontekst ai ka qenë kritik edhe ndaj Kuvendit Komunal të Gjilanit që nuk po e vë në rend dite dhe miratojë një rregullore që do ta rregullojë këtë çështje.
“Pse komunarët e Gjilanit po u pengon miratimi i rregullores, e cila do të mundësonte që e diela të jetë ditë pushimi për sektorin privat, dhe pse po e prolongojnë këtë çështje herë në atë seancë herë në këtë seancë?! Fuqia punëtore në Kosovë u shkel tej mase nga firmat private, duke ia bërë jetën të padurueshme klasës punëtore. Por çfarë të bësh kur gjendja e rëndë ekonomike bënë që punëtorët të durojnë dhe të punojnë edhe pa asnjë ditë pushimi”, shprehet Kadriu, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas tij, Komuna e Gjilanit është një nga komunat më të pazhvilluara në nivel vendi. Është një komunë ku pak u punua nga niveli lokal, e akoma më pak nga niveli qendror, ku për pasojë një pjesë e madhe e të rinjve ikën në Perëndim, ndërsa një pjesë tjetër janë në pritje për termine, edhe ata për të ikur në Perëndim.
“Normal, një zot shtëpie, në këtë rast kryetari, do të duhej të krijonte një strategji për mbajtjen dhe ruajtjen e fuqisë punëtore dhe asaj intelektuale, e jo të heshtë sikurse ka bërë deri më tani. Duket se ekziston një pakt i heshtur i pushtetarëve që ta zbrazin Kosovën dhe të mbeten në të vetëm të pasurit (shumë prej tyre janë pushtetarët apo njerëzit e lidhur me pushtetin)”, thotë Kadriu.
Sipas tij, është më të vërtetë e turpshme që edhe më tutje të mos miratohet rregullorja që e diela të jetë ditë pushimi për të gjithë.
“Ju lutem shikojeni gjendjen e mjerueshme të punëtorëve që punojnë në sektorin privat, të cilët e kanë vetëm një ditë pushimi në javë ose edhe asnjë, siç është rasti i atyre që punojnë në furra apo në kompani taksie. Kryetar, leje Brukselin, merru me Gjilanin e bëji rregulloret në favor të qytetarit tuaj. Leje Mr. Binin e merru me punët që ju takojnë, sepse nuk kemi kohë t’ju presim që t’i përfundoni aventurat tuaja politike”, përfundon reagimin e tij, Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare Vatra.