Komiteti për Shërbime Publike ka miratuar të premten raportin e punës së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërkaq raportin e drejtorisë tjetër të linjës – Shërbimeve Publike, e ka shtyrë për takimin e radhës, i cili, siç ka thënë kryesuesi Isa Agushi, do të mbahet gjatë këtij muaji, para seancës së Kuvendit Komunal.
Përndryshe, Agushi ka thënë se raporti i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i përmban të gjitha aktivitetet e periudhës 6-mujore të këtij viti, në mënyrë mjaft të qartë dhe e ka ftuar Komitetin për miratim.
Ensar Kadriu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se aktivitetet e kësaj drejtorie varen në masë të madhe nga kushtet klimatike, për çka duhet koordinim edhe me subjektet tjera, për të përballuar situatat eventuale në terren.
“Përkundër intensitetit të reshjeve dhe vështirëve tjera në terren, gjatë dimrit që shkoi, ne jemi kujdesur që me kohë t`i hapim të gjitha rrugët dhe asnjë vendbanim të mos mbetet i izoluar”, ka thënë Kadriu.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhë është punuar në identifikimin e familje në nevojë për banim social, pastaj është bërë vlerësimi i vazhdueshëm i rreziqeve për popullatën nga faktorë të tjerë, është bërë vlerësimi i gjendjes fizike të objekteve komunale dhe janë propozuar masat e nevojshme, janë identifikuar objektet e braktisura në qytet, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët, janë kryer inspektime në shkolla dhe objekte tjera publike dhe janë rekomanduar masa adekuate për mbrojtje nga zjarri si dhe aktivitete të tjera.
“Gjatë muajve në vazhdim, sfidë për ne mbetet përballja me temperaturat, në mënyrë që të minimizohet përhapja e zjarreve fushore dhe malore, për çka do të fillojmë një fushatë vetëdijesimi për rrezikun që paraqesin flakët e pakontrolluara”, ka thënë Kadriu.
Ndryshe, Shërbimi Zjarrfikës gjatë kësaj periudhe ka kryer 256 intervenime dhe 220 prej tyre kanë qenë raste zjarri, ndërsa të tjera, intervenime teknike.
Duke marrë parasysh se në muajt e ardhshëm shtohen rreziqet nga zjarret, Ramadan Ajvazi ka kërkuar koordinim më të mirë ndërmjet të gjithë mekanizmave veprues, në mënyrë që reagimet të jenë sa më të shpejta dhe dëmet sa më të vogla.
Ndërkaq Hamid Azemi ka kërkuar të ndërmerren masa për pengimin e krijimit të deponive të egra në qytet, siç është ajo të ish-kampi “Montith”, ku ditëve të kaluara ka pasur edhe ndezje të mbeturinave.
Sipas Kadriut, pastrimi i këtyre deponive, përfshirë edhe atë te ish-kampi Montith, pritet të fillojë së shpejti.