Gjilani ka muaj që po ballafaqohet me mungesë të theksuar të ujit të pijshëm ku për rrjedhojë kemi sasi të pamajftueshme, duke bërë të kemi edhe reduktime të thella, e në lidhje me këtë, Kushtrim Kadriu nga Lëvizja Qytetare “Vatra”, ka kritikuar drejtuesit e Komunës që nuk po ndërmarrin veprimet e duhura për të gjetur një zgjidhje, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Madje ai ka thënë se, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në vend se ta ketë prioritet këtë çështje, ai merret me gjëra tjera duke bërë që qytetarët ta vuajnë këtë neglizhencë të Hazirit. Shih për këtë, Kadriu i Vatrës thotë se do të ishte mirë që kryetari i komunës edhe të jep dorëheqje dhe komuna të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Madje, duke iu referuar disa projekteve tjera, ku Komuna ka shpërndarë lopë dhe fidanë për fermerë, Kadriu ka ironizuar, duke u shprehur se, “për institucionet e Komunës së Gjilanit më e rëndësishme është të merret me lopë e me dardha, se sa me ujë”.
“ Është shumë e dukshme se për Lutfi Hazirin dhe shokët e tij që e drejtojnë komunën, prioritet është Prishtina- presidenca, qeveria e assesi Gjilani. Dhe mu për këtë ky qytet po e paguan faturën e këtyre aventurave (të mbetura në tentativë), duke mbetur tërësisht i lënë pas dore”, thotë Kadriu, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, Gjilani është pa zot shtëpie tash e gjashtë vjet, e si rezultat i kësaj, qytetarët gjilanas po vujnë edhe për ujë. Kjo qasje e pushtetit tash e njëzet vjet, ka bërë që Gjilani ta ketë ende të pazgjidhur këtë problem.
“Një sjellje e tillë tejskajshmërish neglizhente është e papranueshme. Nëse Haziri nuk ka kohë të merret me Gjilanin, duhet të jap dorëheqje dhe Gjilani duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë në një reagim të tij, Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”.