Investimi kapital autostrada Gjilan-Prishtinë e shumëpritur nga qytetarët e Gjilanit dhe në përgjithësi Anamoravës do të jetësohet së shpejti. Kjo pasi më 15 prill pritet të vihet gurthemeli i saj në Verbicë të Zhegocit.
Këtë e bëri të ditur, për Portalin 2LONLINE, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu. Sipas tij, janë kontraktuar 8 kompani dhe punimet do të kryhen në 8 llote, gjersa mjetet janë të ndara për këto 8 segmente.
Zëvendësministri Kadriu, siguroi se autostrada ka gjetur formë, janë ndarë mjetet dhe ajo tashmë është realitet i pandryshueshëm. Ai investimin kapital në autostradë e konsideron ngjarjen më të rëndësishme të Anamoravës, që nga paslufta.
“Kjo është një ngjarje madhore për Anamoravën që nga paslufta, për çka njoftojë se do jenë prezentë krerët shtetëror presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, ministri i infrastrukturës… Ftoj edhe të gjithë qytetarët e interesuar që të jenë prezentë në gurthemelin e autostradës, të kërkuar e pritur me vite, të dielën e 15 prillit, në ora 11:30, në Verbicë të Zhegocit”, ka thënë Kadriu.
Ndryshe, ndërtimi i autostradës në fjalë, sipas kontratës së nënshkruar tashmë, do të kushtojë 88 milionë euro dhe do të përshkojë gjatësinë prej 22.3 kilometrave.
/Elife Sherifi/