Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan është duke punuar në hartimin e listës me të cilën do të garojë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ndërkohë që kryetari i kësaj dege, Rexhep Kadriu, që njëherësh është edhe nënkryetar komune, ka paralajmëruar befasi në Gjilan.
“Jemi duke bërë konsulta brenda partisë për të nxjerrë një kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, i cili do t’i sfidonte fuqishëm kandidatin e LDK-së dhe të Vetëvendosjes. Besojmë që me punën që kemi treguar në këto katër vite, ku kemi bashkëqeverisë, pjesa e AAK-së ka treguar një performancë të shkëlqyeshëm dhe një përkushtim të pashoq ndaj qytetarëve dhe se besojmë që kandidati i AAK-së do të jetë sigurt edhe kryetari i Komunës dhe do të udhëheqë për të mirën e gjilanasve”, ka thënë Kadriu i AAK-së.
Në pyetjen e Portalit 2LONLINE, se a do të jetë ai kandidat për kryetar komune, Kadriu nuk ka dhënë përgjigje konkrete, por vetëm ka shtuar se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se shumë shpejtë lideri i AAK-së Ramush Haradinaj do të nominojë edhe kandidatin për Gjilanin, që do të bëhet në koordinim edhe me degën e Gjilanit dhe strukturat e partisë.
Ndërkohë që burimet e 2LONLINE, mësojnë se formimi eventual i Qeverisë ssë Kosovës nga koalicioni PAN, do ta mund ta përfshijë edhe Kadriun në kabinetin e qeverisë Haradinaj, në postin e ministrit, në të kundërtën, Kadriu do të mbetej kandidati më potencial që sërish do të kërkonte votën e gjilanasve, në garën për të parin e komunës.
Përndryshe, kur jemi te lista tjetër, ajo e këshilltarëve komunal, Kadriu i AAK-së i ka thënë 2LONLINE, se edhe në këtë drejtim po punohet dhe se do të jetë një listë kredibile, një listë qytetare, me njerëz të pastër të Gjilanit, njerëz kredibil që kanë dijen, përvojën, kredibilitetin shoqëror dhe që janë ata që do të punojnë fuqishëm për interesin qytetar.