(2L ONLINE) – Komiteti për Arsim (KA), në takimin e fundit, është njoftuar me punën 6-mujore të Drejtorisë si dhe ka diskutuar për suksesin e vitit mësimor 2013/2014, rezultatet e testit të arritshmërisë si dhe të maturës shtetërore.
Nazmi Musa, drejtor për Arsim, ka thënë se prioritet dhe objektivë e DKA-së ishte dhe do të jetë menaxhimi sa më efikas i sistemit arsimor, duke nënvizuar faktin se arsimi është një fushë e gjerë, ku ka suksese e dobësi.
Mbi 97 për qind e nxënësve të Gjilanit, vitin shkollor e kanë përfunduar me sukses pozitiv. Testit të arritshmërisë i janë nënshtruar 1605 nxënës dhe rreth 76 prej tyre kanë dalë me sukses pozitiv, kurse atij të maturës i janë nënshtruar 3.360, kurse kalueshmëria është nën 48 për qind, ka thënë Musa.
Testi i maturës ishte çështja që mori vëmendjen më të madhe të anëtarëve të KA, të cilët në parim patën vërejte rreth formës së organizimit, duke thënë se angazhimi i personave me uniforma për të mbikëqyr procesin, ishte i papranueshëm.
Rashit Sahiti (LDK), thotë se mënyra e organizimit të testit të maturës duhet të ndryshohet dhe në të ardhmen, testimi të bëhet në formë kompjuterike. Sipas tij, forma e tashme, ku nxënësit duhet të ruhen me punëtorë të kompanive të sigurimit, ka degraduar.
Fehmi Sylejmani (VV) shprehet i pakënaqur me rezultatet e arritura në testin e maturës, ku më tepër se gjysma e nxënësve duhet të përsëritin provimin në afatin e gushtit. “Uniformat e sigurimit në provimin e maturës krijuan një pasqyrë të keqe për arsimin dhe nuk arritën të eliminojnë kopjimin”, ka thënë ai.
Vërejtje për mënyrën e organizimit të testit patën edhe Shukrije Rapuca e Leonora Bunjaku (PDK). Një rregull që nuk mund të zbatohet si duhet, atëherë duhet të ndryshohet, thotë Bunjaku.
Ajtene Shahiqi (AAK) nuk e hedh fajin vetëm te nxënësit për suksesin e dobët. Ajo thotë se më parë duhet të organizohet një test për mësimdhënës, sepse nuk është e mundur që në një shkollë të kalojnë testin vetëm 2 nxënës.
Edhe më e ashpër u tregua Florina Jerliu (LDK), duke thënë se Kosova është kthyer në një vend të eksperimenteve. Sipas saj, monitorimi i testimit nga rojat e kompanive, është fyerje për mësimdhënësit dhe nxënësit.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, tha se e kishin ngritur këtë shqetësim në MASHT, por kishin marrë përgjigje se kjo ndodh edhe në shtetet tjera. Ai nuk i fajëson punëtorët e kompanive të sigurimit, për suksesin e dobët në testin e maturës. “Për suksesin e dobët, fajtorë janë mësimdhënësit dhe të gjithë ne bashkë”, ka thënë Musa.
Përndryshe, anëtarët e KA kanë kërkuar nga DKA që t`i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që ka për t`i sistemuar mësimdhënësit që mbeten pa orë, shkaku i renomesë shkollore, e cila i godet edhe arsimtarët e suksesshëm. /2L ONLINE/