Forca e Sigurisë së Kosovës me sukses ka përfunduar ushtrimin fushor “Ujku i Nëntorit” në poligonin e stërvitjes në Babaj të Bokës në Komunën e Gjakovës.
Qëllimi i këtij ushtrimi, ishte validimi i njësive të manovrës dhe mbështetjes në nivel kompanie, si dhe njësitë e Rikonicionit në nivel togu, mbështetur me një togë mjekësore (Rol 1) nga Regjimenti i Mjekësisë së Komandës së Logjistikës.
Pjesë e këtij ushtrimi ishin Regjimenti i Parë dhe i dytë të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), një togë mjekësore ROL 1 nga Regjimenti i mjekësisë i Komandës së Logjistikës, dhe Regjimenti i Tretë i KFT-së në rolin e forcës opozitare.
Për të parë nga afër realizimin praktik në përmbyllje të ushtrimit ishte zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe , zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, kolonel Hysen Dreshaj, zëvendës komandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Avdi Raci, oficerë e nënoficerë të FSK-së e NALT-it.
Në ceremoninë e përfundimit zëvendës komandanti i FSK-së gjeneral major Enver Cikaqi i përgëzoi ushtarakët për realizimin e këtij ushtrimi fushor jashtëzakonisht të rëndësishëm për FSK-në, dhe gjithashtu theksoi “ secili prej nesh kemi familjet tona, por familja jonë e madhe është Forca e Sigurisë së Kosovës, ne jemi vëllezër dhe motra në armë që i shërbejmë kësaj familje, andaj duajeni njëri tjetrin , përkraheni njëri tjetrin, mbështeteni njëri tjetrin në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur që në ditët dhe momentet më të vështira t`i qëndrojmë njëri tjetrit përkrah”.
Niveli i suksesit të këtij ushtrimi fushor është tregues më i mirë i ngritjes së zhvillimit profesional të pjesëtarëve të FSK-së dhe kapaciteteve operacionale. /2LONLINE/