Ka ndërruar jetë Mustafë Jashari nga Zhegra e Gjilanit. Ai përveç tjerash, ka qenë i njohur edhe për veprimtarinë e tij humane përmes Iniciativës Qytetare të Zhegrës (IQZH), duke qenë me vite koordinator dhe përgjegjës i aktivitetit human, të shpërndarjes së ndihmave mujore me artikuj ushqimor, për familjet në nevojë, siç njihej me emrin Aksioni “Ushqim për Skamnorët”.
Një aksion i tillë ishte realizuar për shumë vite pa u ndalur, muaj për muaj, dhe në krye të këtij aksioni ishte Mustafë Jashari, përherë i palodhshëm.
Ai poashtu, përmes kësaj Iniciative, ishte aktiv edhe në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Zhegrës me rrethinë duke i përçuar interesat e tyre dhe të kësaj ane në adresat e institucioneve përkatëse.
Janë me dhjetëra e dhjetëra shkresa e kërkesa nga ana e tij drejtuar institucioneve të Komunës së Gjilanit për realizim të projekteve në Zhegër e rrethinë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të kësaj ane.
Ai një kontribut të jashtëzakonshëm për të mirën e komunitetit e kishte dhënë edhe duke qenë anëtar i Klubit Rotarian Gjilani. Po ashtu kontributi i tij i çmuar ishte i dukshëm edhe në fusha tjera, duke bërë që përkushtimi i tij ndaj vlerave të qytetarisë të jetë frymëzim për të tjerët.
Me vdekjen e tij, Komuna e Gjilanit humbi një njeri zemërbardhë, një shpirt fisnik, një qytetar shembullor e human… Ngushëllime familjes Jashari.
Përndryshe, njoftimin për shkuarjen e tij në amshim e kanë dhënë familjarët.
***
Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë që sot u nda nga jeta, Mustafë Rifat Jashari.
Varrimi i të ndjerit bëhet nesër, me datë 08.10.2024, pas namazit të ikindisë në varrezat e fshatit Zhegër.
Qofsh i xhehnetit, më i dashuri i jonë!