Shefqet DIBRANI
KA HESHTUR EDHE PROZËN E VEÇANTË POETIKE
( Ramadan Rexhepi, “KUMBONARET”, tregime dhe novela, botoi Sh. B. “Beqir Musliu”, Gjilan 2018, 160 faqe. ISBN 978-9952-734-93-6 )
Tregimet dhe novelat e Ramadan Rexhepit të përfshira në librin “Kumbonaret” janë prozë e veçantë, fillimisht të botuara në vitin 1963, por heshtja i ka heshtur. Në anën tjetër këto tregime dhe novela janë shkruar dhe botuar shumë vite para se të unifikohej drejtshkrimi i gjuhës shqipe, pra në planin gjuhësor, dhe si tekst letrar shkëlqejnë. Veçmas shkrimtari dallon për mënyrën artistike të rrëfimit. Kultura gjuhësore, veçmas trajtat e gegrishtes i jepin tekstit nunacë dhe vlerë. Dhe, kjo mënyrë e shkrimit, kaq bukur e kaq rrjedhshëm, (edhe lexuesit të sotëm) nuk i sjellë vështirësi për ta kuptuar, pasi edhe ky ribotim vjen në trajten e shkrimit të gegrishtes letrare të asaj kohe. Natyrisht, proza është përplot shprehje arkaike, lokale dhe krahinore, që s’bashku ndërtojnë fjalëformime që i duhen edhe drejtshkrimit të sotëm letrar e gjuhësor. Një mori fjalësh të tjera e fjalëformime të kësaj proze kanë pësuar ndryshime të mëdha, madje edhe rrënjësore, por libri “Kumbonaret” mbetet prozë dinjitoze, veçmas për rëndësinë e saj historike, dhe për faktin se është prozë artistike në Kosovë, që denjësisht përfaqëson librin artistik të asaj kohe. Kjo prozë është shembull që arsyeton botimin e saj kështu në origjinal. Brezat e tashëm dhe ata që do të vijnë, le ti mësojnë edhe trajtat letrare të gegrishtes, dhe me këtë, edhe rrugën e zhvillimit të prozës shqipe në Kosovë.
“Kumbonaret”, është njëri nga librat më të shkëlqyer estetik dhe një vlerë e rrallë letrare e gjuhësore që i ka rezistuar kohës. E përmenda më parë edhe aspektin gjuhësor, pasi ka fjalë e shprehje të cilat i japin nuancëtekstit letrar dhe mendim të thelluar kulturës gjuhësore, jo vetëm prozës dimension të gjerë, por edhe linguistikës për fjalët e rralla dhe shprehjet e shumta frazologjike. Prandaj vlera që e dallon prozën e Ramadan Rexhepit, karakterizohet për qasje, strukturën e ndërtimit si dhe fjalëformimin e saj, një mozaik i tërë gjuhësor që pasqyron afinitetin dhe dijen e shkrimtarit për ato vite. Në anën tjetër tregimet dhe novelat paraqesin thellësinë e njohjes të problematikave politike që kalonte tërësia etnike shqiptare. Kjo prozë, qoftë për përmbajtjen e saj dhe qoftë për aspektet gjuhësore e letrare edhe për sot është model dhe vlerë për tu respektuar.
Kjo prozë të rrëmben, veçmas për mesazhin që ka përmbrenda secilës ngjarje. Është një brez i cili do të mësoj për atë kohë, të tjerët do t’i rikthej atje, dhe nga retrospektiva e asaj kohe do të gjykojnë më mirë e më saktë vlerën e librit. Shihet se autori ka jetuar me hallet e qytetarëve, andaj është futur aq thellë në filozofinë e tyre, për qasjen tematike të jetës në zonat e fshatrave të thella të Karadakut, në mënyrën e jetesës, me një fjalë është bërë një depërtim në thellësinë psikologjike të personazheve, të cilët dhe secili ka rolin e vet, ku shpeshherë përjetohen si ngjarje reale, pasi mënyrat e rrëfimit kanë nunacë të realitetit të përjetuar, sidomos nga ai brez që është duke u rralluar, duke u paktuar.Pra, po rrallohet një gjeneratë e tërë e cila tashmë e ka kryer misionin historik për ta ndryshuar shoqërinë, krejt në funksion të atij ndryshimi që ka ndodhur nëpër vite. Pra,janë të gjitha angazhimet dhe përpjekjet intelektuale dhe letrare, edhe të Ramadan Rexhepit, në këtë proces, kurse proza e tij qysh në vitet e gjashtëdhjeta pati ndikimin e saj, pavarësisht asaj se vite më vonë është harruar.
Nëpër tregimet dhe novelat e tij, shkrimtari saktë ka përshkruar jetën reale, vetëm se duhet të kuptohemi, rrëfimi është prozë artistike, e cila merrej me vobektësinë dhe mentalitetin arkaik të kohës, me thyerjen e dogmave dhe sjelljeve të prapambetura. Gjithsesi një përjetim i rrallë, ndodhitë e tregimeve janë përjetuese dhe të paarritshme. Vet fakti se ngjarjet zhvillohen në një lokalitet relativisht të ngushtë, ngjyrimt kanë orgjinalitet dhe besueshmëri të rrëfimit real të jetës dhe sakrificës së saj. Po ashtu treva e Karadakut ka një ngjyrim etnografik dhe etnopsikologjik më specifik, prandaj edhe qasjet e kulturës fetare, por njohja e traditave dhe zakoneve, vazhdimisht janë parë nga këndvështrimi i kohës dhe i njohjes, përjetimi nxjerr porosi, jep mesazhe të progresit dhe gjithsesi në shërbim të emancipimit.
Narracioni tematik i kësaj proze është bukuri artistike, është vlerë letrare dhe uvertyrë sidomos për aspektin tematik andaj veçohet për mënyrën e rrëfimit të ngjarjes e ndodhisë. E qartë, jeta e rëndë sociale ka imponuar edhe jetën e tillë primitive ku ndikimi patriarkal e fetar, bashkë me doket dhe zakonet kanë luajtur rolin e tyre. Po ashtu edhe ngatërresat, vrasjet, martesat e hershme për mbijetesë, dhe formatë tjera, janë elemente bazë të kësaj proze, duke mos përjashtuar as mesazhin për shkollim dhe emancipim që shpaloset, kryesisht në dy-tre tregime të librit.
Pa dyshim, vrazhdësia e sjelljes dhe veprimet e shëmtuara janë pjellë e vobektësisë qytetare, ku bashkë me nivelin e ulët emancipues, që dukej si formë e dhunës dhe e diskriminimit të pushtuesit shekullor mbi qytetarët, të cilët nga s’kamja dhe varfëria janë detyruar të shpërngulen ose të emigrojnë.
Libri hapet me tregimin “Kur s`ka diell ndër zemra”, që trajton tematikën e shpërnguljes dhe pasojat e saj. Në brendësi të rrëfimit ka jetë, ka përpjekje, andaj ka ngjarje. Kurse varfëria është me specifikat e veta, dhe në kuadër të të gjithave ka edhe dashuri dhe përpjekje të tjera të cilat preken e trajtohen nga këndvështrime të ndryshme, në të cilat vetëm një penë e preft siç është Ramadan Rexhepi, mund të realizojë pamje të tilla rrëqethëse, të ndjeshme dhe përjetuese. E duke treguar humanizëm, si traditë dhe si kulturë, që kishte dhe ka etnia shqiptare. Nga simbolika humane proza është e tipit social dhe të angazhuar që e tejkalon egon e etnisë. Kjo përzierje kulturash shpjegon se në kohën kur është vendosur ngjarja, ishte niveli i ulët i jetesës por edhe i tolerancës etnike e fetare, si botkuptim shoqëria fisnik e etik. Por për shkak të pushtimeve e të pushtetit këto vlera ishin katandisur, dhe sipas autorit, as shqiptarët nuk mund të përjashtoheshin nga ky diskriminim, përkundrazi ishin materje për tu diskriminuar. Prandaj sipas kësaj, gjendja sociale i kishte katandisur edhe vlerat humane e morale të shoqërisë dhe të etnisë. Protagonisti kryesor Saqipi, si pesë vjeçar, përjeton varfëri të skajshme e cila do të përfundojë me gjendje të rëndë morale dhe sociale, vuajtje këto që dalin në pah nga rrëfimi i Hafizës, bashkëshortja e Saqipit. Më vonë protagonistit pija do t’i bëhet pasion që ka ndikuarnë çthurjene familjes, kurse vet ai do të përfundoj në individ i cili ngushëllimin e gjenë në shishen e rakisë.
Tregimi “Konstantina”, bënë fjalë “Për njat çupën flokëshprishun, që u ul në krue atij mëngjesi, gjithkush thoshte se âsht e shtalbët si gembi i zambakut, belhollë si lis i Karadakut e e ambël si qershija e Shkupit”, (faqe 53), por ajo detyrohej të punonte dhe të merrej me gjithfarë punësh për të siguruar jetën e vet, për shkak të gjendjes së rëndë sociale që ishte në fshat. Vajza fisnike, e pashme, punëtore dhe e sinqert do të bie viktimë e pasioneve të Kolës, i biri i Prend Berishës. Ngjarja ka zhvillim dramatik të përjetuar thellë, përmes së cilës shpjegohet tragjika e jetës dhe yshtja epshërore dhe pasionet e çfrenuara të të pasurve. E veçantë e kësaj proze është mënyra se si autori e përmbyll rrëfimin, në të cilin, çdo lexues do të pret përfundim tjetër, por jo rënie vertikale të përdës për të bërë edhe më groteske mënyrën e mashtrimit: “Te dera, ai i tha se, ’ka me kthye nesër, ka me e fejue’… por s’ktheu as ai, as premtimi i tij”, (faqe 64).
Pra, tregimet dhe novelat paraqesin realitetin në kontekstin kohor, është afinitet i autorit përshkrimi artistik i tragjikes, vobektësisë, dhe i asaj jete në të cilën kishte padrejtësi, kishte zili dhe hasmëri, por kishte edhe përpjekje dhe ndodhnin dashuri, të cilat janë shfaqur të rënda e tragjike.Tregimi “I akuzuemi quhej Malë”, trajton motivin e hakmarrjes, ku përveç pendimit shpaloset edhe vetëdijësimi, për tragjikën dhe tragjedicitetin që rrjedh si pasojë e lakmisë dhe e hakmarrjes. Një pendimim i tillë, përkatësiht një vetëdijësim është epilogu i cili shprehet para gjykatësit nga i pandehuri Malë Buhiqi. Po ashtu vetëdijësim i ngjashëm shpaloset edhe në tregimin “Natë mbi saraje”, në të cilin trajtohet aspekte morale në sarajin e Halil-agës, i cili pas gjithë rrëmujes vetëm në fund ka pyetur vetë-vehten: “A thue edhe ky krymb ka mbrêjtë në sarajet e mija?!”, (faqe 100).Kjo mënyrë, për gërshetim të atij realiteti, është art që realizohet mjeshtrisht nga mënyra mjeshtrore e komunikimit të protagonistëve, dhe nga rrëfimet e tyre përplot emocione, pastaj edhe nga sfidat që tejkalohen, por edhe nga tragjizma të shumtëdo të përmbyten përpjekjet dhe do të ketë edhe suksese dhe ngadhnjime. Edhe pse ngjarjet zhvillohen në një trevë relativisht të ngushtë, përmasat e mesazhit atakojnë përpjekjet e forcave pushtuese në nivel nacional dhe kombëtar.
Dashuria si element lirik në prozën e Ramadan Rexhepit i përketë kohës, ajo nuk është kurorëzuar as realizuar në një varg tregimësh, edhe pse në nuanca shfaqen dashuri dhe ndeshim edhe dashuri epshërore. Përkundër pritjes, as gjatë leximit, në tregimin “Letër vajzës Bonjare”, ku janë trajtuar elemente erotike, përseri nuk materializohet dashuria, dhe kjo për pasojë të degjenerimi që i atribuohet emigrimit të pakontrolluar. Ndërsa karakteristikë e rrëfimit është dinamika e zhvillimit të ngjarjes, mënyra e qasjes dhe depërtimi shumë i thellë në mbrendësinë psikologjike të përsonazhit që është realizim i suksesshëm dhe tërheqës. Ata “natën i puthshin gràt e tyne me nji afsh djegës, përvëlues dhe pandërpre mendojshin në Ty, vetëm Ty të puthshin, Ty të përqafojshin, e jo garàt e tyne”, (faqe 125), shpërfaq pasojat psikologjike të të vepruarit nai dhe të pakontrolluar.
Tregimi “Lokja”, ka motiv emancipimin. Aindryshim do të vinte vetëm duke iu bërë shoqërisë mësuesit, të cilët pastaj do t’i hapnin shkollat dhe do ta ndryshonin prapambetjen e madhe. Motiv pak a shumë i ngjashëm trajtohet edhe në tregimin “Udhtarët”, dhe është trajtuar bukur.Përpjekja për emancipim të femrës ka protagoniste Zogën, e bija e Mixhes Franjë, është tregim drithërues dhe i përjetuar thellë. Paragjykimi, kulturat fetare, dallimi i jetës në mes qytetit dhe banorëve në zonat malore dhe përpjekja e Mixhes Franjë për ta dërguar të bijen në shkollë, ka dramën historike dhe ka tragjedinë si përfundim, e cila vjen nga lodhja dhe mundimi, gjë që ka ndikuar për të mos u zhvilluar as rrëfimi, të paktën sa për të ditur fatin e shkollimit të Zogës.Për gjatë tregimit, shihet se Babë e Bijë, kalojnë një kalvarë peripecish që do të përfundojë me sëmundjen e Mixhes Franjë,kurse çështja e shkollimit tëZogës, siç thamë më parë mbetet rrëfim i hapur. D.m.th. autori ka trajtuar tragjikën e jetës,e cila për fatalitet të banorëve të kësaj zoneshpeshherë nuk janë realizuar, pasi fatin e suksesit të tyre e përcaktonte mënyrën e ashpër e jetës dhe e sjelljes. Në këto raste, përpjekja e autorit ka të bëjë me arsyetimin të atyre që ndajnë mendjen me Mixhen Franjë,kurserrethanat e jetes u bëhen bedenpër sukseset e tyre,prandaj epilogu i rrëfimit edhe në tregimin “Udhtarët” nuk do të mbyllet, ai mbetet hapur dhe mund të zhvillohet vetëm në mendjen e lexuesve.
Nga këndvështrimi i sotëm, kjo prozë është artistike dhe me vlera të veçanta, e nëse kihet parasysh se i takon viteve të gjashtëdhjeta, sigurish vlera cilësore e fjalës artistike e saj merrë konotacion edhe më sipëror. Pa dyshim tregimet e autorit kanë plotësuar vakumin e kohës për letërsi origjinale. Ai, qysh atëherë po ndërtonte idenë e rrëfimit mbi figurëshmërinë e mundshme, në të cilat drama jetësore e njerëzve nga Karadaku është materializuar si rrëfim artistik, përmes të të cilit ai shprehte realitetin ekzistues. Një mori shprehjesh të rralla e disa të harruara përbëjnë atë rëndësinë gjuhësore për t’iu rikthyer kësaj proze e cila edhe tani është e virgjer dhe delikate për t’u trajtuar. Mesazhi që del nga tregimet është në funksion të idesë për ndryshim, përkatësisht për tu ndryshuar, dhe shoqëria për të dal nga shëmtia, e cila për kohën ishte pak e trajtuar, gjë që e bënë edhe më të rëndësishme prozën e Ramadan Rexhepit, i cili shkruante në atë kohë si askush tjetër më parë. Ai,pa asnjë dyshim, shoqërisë dhe letërsisë shqiptare ia solli këto perla artistike.
Përmbledhja me tregime dhe novela “Kumbonaret” e Ramadan Rexhepit, edhe sot ka vlerën letrare të saj, për qasje të ngjarjes, e qoftë për ndijimin shpirtërorë që të jep leximi i saj, shprehur në mënyrë artistike për fatin e njeriut që pati trysnia e diktaturës komuniste.Tabllot e ndodhive, janë rezultat i kundërthënieve sociokulturore si përshkrim i rrallë. Kjo mënyrë e rrëfimit e bënë tregimin tërheqës, ndërsa gjuha shprehëse është magjepse, me imagjinatë interesante, që për kohën kishte shënuar arritje vlerash, gjë që edhe per sot mbetet atraktive për tu studiuar,veçmas nga hulumtuesit e dialekteve dhe atyre të gjuhësisë.
Kurdoherë, në prozën e Ramadan Rexhepit, ndeshim një trysni tragjike, e cila si ndërdije stagnonte proceset e shoqërisë,për zhvillime të përshpejtuara në fushën ekonomike, kulturore dhe politike. Prandaj është thënë se kjo tragjikë e rrëfimit lidhej drejtpërdrejt me gjendjen politike e cila shqiptarët i kundronte si kategori jo e barabart.Vetëm shkathtësia e shkrimtarit e bënë rrëfimin kaq cilësor, i pasur me shprehje të sofistikuara nga ideologjia dukej se s’kishte të bënte gjë me sistemin. Shkrimtari duke e shkruar këtë prozë kaq artistike, ka realizuar qëllimin e tij për të shpjeguar fatin e njeriut dhe tragjikën e individit në një shoqëri e cila shtirej se respektonte, kurse në anën tjetër diskriminonte e përbuzteqytetarët sipas përkatësisë nacionale. Ky qartësim në raport me kundërthëniet e koncepteve ideologjike në mjedisin përkatës, që tashmë lehtë mund të zbërthehen, janë vlerë e një proze kaq mirë e realizuar.
Prandaj mund të themi se në “Kumbonare”, shohim dramën jetësore të personazheve dhe dramatikën e ngjarjeve. Përsenazhet e prozës së Ramadan Rexhepit, paraqesin fatet e ndryshme njerëzore, madje disa sish janë përafruar me realitetin sa në kuptimin metafizik duket sikur janë reportazhe të ngjarjes, në ndonjë udhëtim a ndodhi e caktuar, gjë që lexuesi i përvetëson më mirë dhe i mban mend më lehtë duke ua gjetur identitetin real të tyre. Këto rrëfime janë shkrime përjetuese që posedojnë ndjeshmëri artistike. Proza e autorit edhe pse e lokalizuar, në vetvete është specifike, kurse treva, autorit ia ka mundësuar për të kompletuar mënyrën e rrëfimit si vlerë artistike. Në anën tjetër dihet se të gjithe elemntet e artit të shkruar janë vlera që prodhon vetëdija e shoqërisë dhe i riprodhon imagjinata e autorit për t’i letrarizuar si rrëfime letrare. /2LONLINE/