Ndërlidhja e qyteteve të Ballkanit perëndimor dhe Britanisë së Madhe nëpërmjet teknologjisë digjitale
Projekti „Qytetet digjitale“ të cilin e organizojnë Qendra kulturore britanike (Këshilli Britanik) dhe Qeveria e Britanisë së Madhe është prezantuar në hotelin Splendid në Budvë, që është njëkohësisht edhe fillimi zyrtar i realizimit të tij.
Qëllimi i projektit është ndërlidhja e qendrave kreative, respektivisht habeve, startapeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga fusha e industrive kreative, teknologjisë dhe arsimit, si dhe vetqeverisjeve lokale të qyteteve të Ballkanit perëndimor me kolegët dhe partnerët nga Britania e Madhe. Kjo formë e ndërlidhjes paraqet njëkohësisht edhe fillimin e bashkëpunimit të ardhshëm dhe projekteve të përbashkëta.
Projektin e kanë prezantuar Gavin Vessey, zëvendës shef i misionit në ambasadën britanike në Mal të Zi dhe Larisa Haliloviq, drejtoreshë e qendrës kulturore britanike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe drejtoresha e projektit „Qytetet digjitale“.
Gjatë konferencës njëditore, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që për së afërmi të njihen me trendet më të reja në këtë fushë dhe shembujt e praktikës së mirë nga Britania e Madhe. Interesim të posaçëm ka ngjallur ligjërata të cilën e ka mbajtur John Newbigin, drejtori gjeneral i organizatës Creative England dhe një nga pionierët kur bëhet fjalë për zhvillimin e industrisë kreative.
Projekti „Qytetet digjitale“ i kontribuon zhvillimit të njohurive dhe aftësive në fushën e zhvillimit strategjik dhe të biznesit, planifikimit dhe rrjetëzimit, por stimulon edhe kapacitetet dhe aftësitë e liderit të habeve digjitale dhe kompanive.
Përfaqësuesit e qendrave të zgjedhura digjitale do të kenë mundësi që të ndërlidhen edhe me vetqeverisjet lokale dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre. Zhvillimi i projekteve të përbashkëta me partnerët nga Britania e Madhe, që punojnë në fushën e digjitalizimit të administratave komunale, të arsimit dhe industrive kreative do të jetë edhe një përparësi e këtij programi.
„Kam nderin e madhë që kemi mundësinë të realizojmë një projekt kaq të rëndësishëm, i cili ka për qëllim ndërlidhjen e qendrave të zgjedhura kreative të Ballkanit perëndimor me qendrat kreative nga Britania e Madhe. Projekti do të kontribuojë në zhvillimin e aplikimit të teknologjisë digjitale, me fokus në inovacionet në industritë kreative por edhe në përdorimin e teknologjive në fushën e arsimit, si në Ballkanin perëndimor ashtu edhe në Britani të Madhe“, ka thënë me këtë rast Larisa Haliloviq, drejtoreshë e Qendrës kulturore britanike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe drejtoreshë e projektit „Qytetet digjitale“
Projekti „Qytetet digjitale“ do të zgjatë deri në fund të muajit mars, kurse pjesëmarrësit do të kenë mundësinë që të takohen përsëri prej 21 deri më 24 shkurt, 2018 në Serbi. Gjatë takimit të ardhshëm, fokusi do të jetë në zhvillimin e kapaciteteve të organizatës dhe rrjetëzimin e tyre, me prezencë të ekspertëve të Ballkanit perëndimor dhe të Britanisë së Madhe.
Finalja e projektit, ku do të marrin pjesë të gjithë pjesëmarrësit, do të mbahet në fund të muajit mars, në Britani të Madhe, përderisa përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi që të vizitojnë kolegët dhe partnerët e vetë në tërë Anglinë gjatë tërë kohëzgjatjes së programit.