Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën për nisjen e themelimit të Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, ka thënë se Kosova ka fakte të pamohueshme, madje edhe nga arkivat serbe që dëshmojnë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.
“Kosova ka fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të bollshëm. Duke u nisur nga e vërteta që e kemi parë dhe përjetuar vetë ne, familjet tona, kombi ynë. Kosova ka aq shumë dëshmitarë të gatshëm për të dëshmuar, përfshirë edhe ata që kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këto krime. Po flas për kryesit e tyre të penduar! Po flas për ata që kanë parë masakrat, dinë për to, kanë qenë pjesë e tyre, që janë marrë me varrime, zhvarrime e bartje kufomash. E them me përgjegjësi të plotë: Kosova ka dëshmi! Kosova ka shumë dëshmi!”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se Kosova posedon shumicën dërrmuese të dëshmive që faktojnë gjenocidin serb dhe ka të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin shtetëror të gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe joserbët në Kosovë.
Ky është fjalimi i plotë i Kadri Veselit:
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Pas asaj që ndodhi të enjten, si inicues kësaj seance dhe si Kryetar i Kuvendit, dua t’i them disa fjalë për iniciativën e themelimit të Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, foton dhe reagimin.
Si komb i shtypur, ndrydhja dhe dyshimi në vetveten na ka përcjellur gjatë dhe shumë.
Për idenë e krijimit të këtij Tribunali, kam pritur edhe hezitime e goditje, që në politikë nganjëherë mund të jenë normale.
Por, nuk e kam pritur një qasje të tillë brutale mes nesh, duke menduar në respektin ndaj një sakrifice të madhe dhe fatin real të kombit tonë – që të gjithë pa përjashtim e kemi pasur.
Të premten, në zyrën time, erdhi një nga familjarët e personave me plagë të luftës dhe i mllefosur me debatin rreth kësaj iniciative e bëri një pyetje të drejtë: Pse ne shqiptarët jemi kaq të pamëshirshëm ndaj njëri-tjetrit dhe të fortë për hakmarrje, ndërsa para të huajve dorëzohemi me lehtësi?
E tha këtë, i mbërthyer nga frika se do të mund të dështonte kjo iniciativë për t’i vënë para drejtësisë kriminelët serbë.
Nëse jo shteti, ai ishte i vendosur që individualisht, si familjar, ta çojë deri në fund rastin e tyre, sepse s’do të pranojë të heshtë derisa drejtësia të vihet në vend.
Nëse duam ta pranojmë të vërtetën, jo vetëm tash për këtë ndërmarrje historike, por edhe gjatë viteve ’90 ne ishim vetë dëshmitarë të një mentaliteti të tillë dyshues dhe mohues.
Sot, dua ta sjell këtu një copëz rrëfimi personal të këtij përjetimi.
Kur ne, që më vonë u njohëm botërisht si UÇK, endeshim në fillim të 90tave, nëpër vende të ndryshme të Kosovës, për shkak të këtij mentaliteti përballeshim me situata jo fort të lehta – në vendin tonë, nga njerëzit tonë.
Më 1992, në Runik të Skenderajt, në kulmin e terrorit nga policia serbe, njërit prej pjesëtarëve tanë iu desh ta shkrepte një breshëri automatiku, për ta parandaluar sulmin drejt nesh me sëpatë nga një civil shqiptar.
Ai nuk e paramendonte se shqiptarët ishin angazhuar në rezistencë të armatosur.
Më 1993, në Gucat të Malishevës, bashkë me Nait Hasanin, në gjysmë të natës, mezi ishim zhbllokuar nga vreshtat, sepse civilët tanë, të cilët na u desh t’i pyesnim për rrugën, u organizuan të kontrollonin çfarë kishim në rimorkion e vogël.
Ata nuk e besonin se shqiptarët ishin angazhuar në rezistencë të armatosur.
Në vitin 1996, teksa po udhëtonim në magjistralen Deçan-Gjakovë, bashkë me Luan Haradinajn e Avni Nurën, mezi kaluam rrugën e fshatrave Jasiq-Voksh, sepse fshatarët kureshtarë donin të na kontrollonin barrën në samar të kalit.
Atyre nuk ua merrte mendja se shqiptarët ishin angazhuar në rezistencë të armatosur.
Më 1997, në Ratkovc të Rahovecit, të uniformuar, për t’i ikur dekonspirimit, na është dashur të kamuflohemi në bashkëbisedim me fshatarët që atë pasdite vjeshte kishin dalë për të vjelë rrush.
Rrëfimi bëhet edhe më tronditës me një ndodhi reale në prill të vitit 1998, pas daljes publike të UÇK-së dhe rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari me tërë familjen e tij.
Disa studentë kishin ardhur në zonat e luftës, pasi kishin dëgjuar se UÇK po endej hapur në Drenicë, por nuk e kishin besuar këtë. Kishin ardhur vetë për t’u bindur. Dhe, kur panë ushtarët e UÇK-së, me armë e të uniformuar, njëri prej studentëve kolapsoi emocionalisht.
Ai dhe shokët e tij nuk e kishin besuar se kishte shqiptarë që rrokin armët për t’u angazhuar në rezistencë të armatosur ndaj Serbisë.
Mos harroni: Kjo ishte një ngjarje e ndodhur pas 5 marsit të vitit 1998!
Njësoj na kishte ndodhur edhe një muaj më herët, kur në Nikoliq të Krumës së Shqipërisë, teksa qëndronim në konakun e Sali Jakut, kolapsoi emocionalisht një ndërmarrës nga Gjilani, mbështetës yni i madh, kur pa Xhevë e Fehmi Lladrovcin, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Korbin e Ismet Jasharin dhe disa prej nesh që ende jemi gjallë, të veshur në uniforma ushtarake dhe armatosur për të hyrë në Kosovë.
Të nderuar deputetë,
I ndava këto rrëfime me ju, për të thënë se askush nuk besonte se kishte shqiptarë që guxonin ta luftonin Serbinë, e cila konsiderohej një prej ushtrive më të forta në Europë.
Sipas atij paragjykimi, gjithçka dhe gjithkush mund të ishte prapa rezistencës së armatosur kundër policisë dhe ushtrisë serbe, vetëm shqiptarët jo.
Aq të fuqishme ishin frika dhe dyshimi.
Në fillim, ishim pak.
Na besuan pak.
Besimi shkoi duke u ngjallur dhe duke u rritur, e bashkë me të edhe mbështetja.
Sot, kur nga kjo distancë shikojmë të kaluarën, del se djemtë dhe vajzat të këtij vendi e luftuan një prej ushtrive më të forta në Europë, dhe bashkë me partnerët e mundën atë.
Kosova u çlirua, shpalli pavarësinë, bëri shtetin dhe në fund formoi edhe ushtrinë e saj.
Të dashur qytetarë,
Ky mentalitet i dyshimit njëjtë po na përcjell edhe sot kur jemi në prag të një vendimi të madh për të kërkuar drejtësi për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë.
Që nga dita kur kam filluar këtë iniciativë, njësoj janë shfaqur dilema, frikë e hezitim.
Dhe si të brishtë që jemi, na erdhi si bombë – fotoja!
Atë ditë, Dr.Flora Brovina bëri një gabim shumë të rëndë.
Dr. Flora është vetë viktimë e gjenocidit serb. Flora dhe sjellja e saj, sado që është gabim shumë i madh, është edhe pasojë e atij gjenocidi serb.
Reagimet pastaj kanë mundur të jenë më të balancuara dhe më të përmbajtura me Flora Brovinën, si individ, marrë parasysh rrethanat e saj jetësore dhe kontributin e saj.
E jo tentuese për ta linçuar, ose edhe më keq, nxitur si komplot të qëllimshëm politik.
Sa për temën, dhunimet gjatë luftës në Kosovë janë fakt i ditur botërisht.
Nuk na duhej një foto, as qindra për ta dëshmuar këtë. Sepse, qindra gra të dhunuara ende presin drejtësinë për të dëshmuar!
Të nderuar deputetë,
Realiteti i tragjedisë sonë kombëtare gjatë vitit 1998-1999 nuk ka qenë akt i ndarë dhe as i kufizuar!
Ky ishte një përjetim gjithë-nacional, që u krye me një platformë, program, organizim dhe ekzekutim nga shteti serb në shumicën e lagjeve, fshatrave dhe qyteteve të Kosovës.
Gjenocidi serb ka ndodhur në të njëjtën formë dhe me të njëjtin skenar kudo në Kosovë, si në Studime, Rezallë, Meje e Verbovc e gjithandej nëpër Kosovë.
Ai është përcjellur me dëbime, dhunime, poshtërime, çnjerëzime, pa dallim – burra, gra, fëmijë e pleq.
Gjurmët dhe dëshmitë e këtij gjenocidi janë kudo. Në çdo familje. Në çdo lagje, fshat e qytet të Kosovës.
Për këtë ka dëshmi, fakte dhe dëshmitarë të bollshëm.
Dëshmi që kanë njerëzit e Kosovës, por edhe gatishmëri për të dëshmuar, nëse krijohen kushte ligjore – siç do të jetë Komisioni Shtetëror, si bazë për inicimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb mbi Kosovë.
Por, para se ta adresoj edhe një herë çështjen e fakteve, më lejoni t’u përgjigjem disa dilemave që janë ngritur ndaj kësaj iniciative.
Pse tani kjo iniciativë për Tribunalin?
Institucionet e Kosovës patën marrë vendim për të filluar një veprim të tillë që në vitin 2011, duke ngritur një institut, pothuajse menjëherë pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.
Nga ky institut dhe në bashkëpunim me prokuroritë dhe gjykatat tona, është dashur të ketë veprim konkret, dokumentim dhe procedim adekuat ligjor sidomos për disa nga masakrat që shteti serb kreu në Kosovë. Kjo nuk ka ndodhur!
Përveç kësaj, me përfundimin e Misionit të EULEX-it, në vitin 2017, u shuan shpresat e qytetarëve kosovarë për drejtësi vendore dhe ndërkombëtare.
Ata u lanë thellësisht të zhgënjyer.
Mesazhi që doli nga kjo sjellje ishte se epilogu i gjenocidit do të ishte heshtja. E heshtja nënkuptonte vetvetiu edhe lënien e tyre në sirtar.
Nëse kësaj i shtohet edhe mohimi publik, jo vetëm nga shteti serb që kreu gjenocidin në Kosovë, por edhe nga disa ndërkombëtarë – që kishin pasur mandat për ta vënë drejtësinë në vend, tregohet qartësisht shpërfillja dhe fyerja që na bëhet si komb.
Për të konkluduar se Tribunali Ndërkombëtar, sado vonë, është një thirrje, kërkesë, logjikë dhe domosdoshmëri që të ndodhë. Sa më parë. Për t’i hapur perspektivë një epoke të re pajtimi dhe paqeje në Ballkan!
A mund të ngritet ky Tribunal?
Kam konsultuar juristët më të mirë të Kosovës, të vjetër e të rinj, me përvojë dhe shkollim shembullor, në Kosovë dhe universitete në Perëndim. Por, dhe ekspertë me renome ndërkombëtare.
Jo vetëm është e mundur ngritja e këtij Tribunali për gjenocidin serb në Kosovë, por është e pashmangshme, nëse shteti i Kosovës është serioz dhe i vendosur në veprimet e duhura institucionale dhe ligjore.
A është kjo iniciativë tentim për t’i ikur Gjykatës Speciale?
Gjykata Speciale në Kosovë, që nga dita e parë e inicimit e deri më sot, përcillet paralelisht me dy agjenda kryesore.
Ajo e vërtetimit të drejtësisë për pretendimet e ngritura dyshuese për krime të UÇK-së.
Dhe, ajo e prapaskenave të Serbisë, e cila tenton t’i balancojë krimet dhe ta përmirësojë imazhin e vet në botë.
Për të gjithë ata që mund të kenë dilema: Iniciativa për ngritjen e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë nuk lidhet fare dhe asgjë me Gjykatën Speciale.
Para së gjithash, për arsye shtetërore.
Çdo veprim paralel, neutralizues ose mohues i Gjykatës Speciale, në këto rrethana mund ta dëmtojë edhe më shumë shtetin tonë, kombin tonë, vetë UÇK-në.
Gjykata Speciale është themeluar nga ky Kuvend. Ky është fakt i pakthyeshëm më!
Ajo duhet ta kryejë punën e vet paanshëm dhe profesionalisht.
Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, po ashtu, duhet të ndodhë, për faktin se i hap Europës, Rajonit dhe Kosovës e Serbisë një perspektiv të re dhe premtuese.
A ka fakte që arsyetojnë iniciativën për ngritjen e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë?
Kosova ka fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të bollshëm.
Duke u nisur nga e vërteta që e kemi parë dhe përjetuar vetë ne, familjet tona, kombi ynë.
Nëse ky Kuvend sot merr vendim për themelimin e Komisionit Shtetëror, që pastaj do të merret me hapat për inicimin e themelimit të Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, Kosova ka aq shumë dëshmitarë të gatshëm për të dëshmuar, përfshirë edhe ata që kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këto krime.
Po flas për kryesit e tyre të penduar!
Po flas për ata që kanë parë masakrat, dinë për to, kanë qenë pjesë e tyre, që janë marrë me varrime, zhvarrime e bartje kufomash.
E them me përgjegjësi të plotë:
Kosova ka dëshmi! Kosova ka shumë dëshmi!
Kosova posedon shumicën dërrmuese të dëshmive që faktojnë gjenocidin serb.
Kosova ka të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin shtetëror të gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe joserbët në Kosovë.
Formën si ka ndodhur, kohën, vendin e saktë dhe kryesit e tyre.
Një për një mund të dëshmohen, faktohen dhe dokumentohen.
Kosova ka pothuajse në tërësi, si dokumente, planet ushtarake dhe policore serbe, platformën, bartësit e tyre dhe ekzekutuesit e këtyre krimeve makabre.
Kosova ka fakte, dokumente nga arkivat serbe, se si janë tentuar të fshihen gjurmët e krimeve shtetërore serbe nga krerët politikë e ushtarakë.
Kosova ka edhe lista të ekzekutimeve të shqiptarëve, të dokumentuara me dëshmi zyrtare serbe.
Shumë nga këto dëshmi i ka pasur në dispozicion edhe UNMIK-u dhe Tribunali i Hagës, të dorëzuara nga Kosova para shpalljes së pavarësisë.
Të nderuar deputetë,
Kosova ka pothuajse gjithçka dhe di çdo gjë që ruhet në arkivat e shtetit serb.
Brezat e kaluar, e as brezat e ardhshëm nuk do të na falin nëse ne lejojmë që detyra jonë kombëtare dhe historike të shembet përballë inateve partiake dhe interesave ditore.
Çështjet ndër breza zgjidhen kur zgjidhim mosmarrëveshjet brenda brezit tonë.
Duke kujtuar të kaluarën dhe duke shikuar të ardhmen, drejtësia kërkon që ne të merremi vesh në të tashmen.
Sot dhe këtu.
Se cilët janë fajtorët për vuajtjet që na u shkaktuan mizorisht mund të tregojë puna e Tribunalit, por se kush është përgjegjës për themelimin ose mos-themelimin e Tribunalit do të tregojnë sot votat tuaja.