Galeria “Jozef”, tek Shëtitorja Taulanti, Lagja e parë, do jetë për dhjetë ditë, vendstrehimi dhe ekspozimi i radhës i “Zogjve” të Etit dhe motiveve tjera artistike të këtij piktori të palodhur, njëri ndër katër pesë emrat më të depërtueshëm shqiptarë të kësaj fushe, anekënd Evropës.
Për publikun shqiptar, ETI tashmë është mirë i njohur. Për herë të shtatë ekspozon në Shqipëri, ndërsa për herë të dytë, në Durrës Edhe ky ekspozim i radhës në Durrës, dhe në mungesën e theksuar të veprimtarive kulturore, është një sfidë e re dhe një ngulmim i theksuar i këtij piktori që të jetë sa më afër dhe në brendësi të publikut.
Kjo veprimtaria bëhet pikërisht në momentin e shënimit të 65 vjetorit të lindjes së tij dhe të 40 vjetorit të marrjes aktive me pikturë.
Ministri shqiptar i kulturës, Ferdinan Xhaferi pritet të jetë i pranishëm në hapjen e ekspozitës e cila një ditë më pas do shoqërohet edhe me një tribunë mbi veprimtarinë e gjithëmbarshme të këtij piktori, i cili përndryshe drejton edhe Komitetin e artistëve shqiptarë të Akademisë Evropiane të Arteve./2lonline/