(Një shkrim i Ramadan Rexhepit, fitues i sivjem i Çmimit letrar “:Beqir Musliu”, shkruar më 19 korrik 1988 në Malmo të Suedisë, si fjalë paraprake e romanit UDHËKRYQI”, të cilin kishte vendosur për ta botuar, siç shprehet ai vet, ” pas 25 vjet robërie”)
Ramadan Rexhepi
Në përputhje të plotë me tematikën e vet, romani Udhë¬kryqi, të cilin po e lëshojmë në liri pas 25 vjet “robërie”, e meriton me plot të drejtë statusin e të burgosurit politik. Jeta e tij është sa e shkurtër aq edhe tronditëse, sepse u lind në vigjiljen e viteve gjashtëdhjetë, kur plagët e Kosovës hallemadhe ishin prore të hapura nga shpërngul¬ja e shqiptarëve në Turqi.
Aksioni famëkeq i armeve, rrahja e njerëzve të pafajshëm, tatimet e larta, dënimet dhe dhuna serbomadhe e kishin sjellë vendlindjen tonë në cepin e një gremine mesjetare. Vegjëlia shqiptare ushqehej me lëng hithrash dhe veza të McArturit, të cilat kapita¬listët amerikanë ia dërgonin qeverisë jugosllave si “shpër¬blim” që kishte dalur nga Blloku Lindor dhe e kishte ”tradhtuar” Socializmin. Të gjitha trevat shqiptare, që nga Bujanovci e deri ne Strugë dhe që nga Ulqini e deri në Gjilan dergjeshin nga një nur trishtimi. Gjithkund ara të djerra, plëngje të braktisur, kafshë të pazot dhe një fshata¬rësi që kishte mbetur as në qiell e as në tokë, sepse tokën e kishte shitur dhe priste të degdisej përtej diellit. Atje diku ishte parajsa e Anadollit.
Ta prekësh këtë temë në vigjiljen e viteve gjashtëdhjetë ishte krejtësisht e pamundur, sepse njerëzit e UDB-ës ishin gjithkund dhe redaktorët e pakët shqiptarë kishin ngecur në petkun e xhandarëve besnikë të sistemit. Sado të mirë që ishin…Me këtë nuk dua të them se shkrimtari kosovar nuk mundej të shkruante, por veprën e tij e priste fati i ”Gjarpinjve të Gjakut”.Ose si thoshte Hevzi Sylej¬mani: ”flladi i frigoriferit”. Vepra konfiskohej aty për aty, me pasoja të hidhura për autorin e saj.
Në rrethana më të volitshme, Udhëkryqi mundej të dilte nga shtypi qysh ne vitin 1962, kuptohet jo në këtë pamje që ka sot, por përcjellja këmbë¬ngulëse e anëtarëve të Parisë Komuniste Jugosllave dhe kërshëria e tepruar e UDB-ës për admirimin që ndieja për disa nga anëtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilëve s’ka nevojë t’ ua përmendi emrat, më detyruan ta marr Udhëkryqin ” në ilegalitet ”. Sado i nevojshëm që ishte për lexuesit e rinj kosovarë, ai duhej ta jetonte jetën e një carroku të lindur si dobiç. U shkrua për njerëzit, por e ndiqte rendi shoqëror.
Në pranverën e vitit 1964, me ndihmën e shokëve besni¬kë, e nxora në Perëndim. Që aty e tutje fillon jeta e tij si mërgimtar. Kah nuk ka qenë edhe ky roman i shkretë?! Në Alpet e Zvicrës, nëpër barakat e punëtorëve turq, në Holandë, Belgjikë, Islande, Norvegji dhe në shumë limane të tjerë të Evropës Veriore, ku punoja si detar i një anije gjermane. Erërat e Detit të Veriut janë të tmerr¬shme, vjedhjet shumë të rëndomta, por ”Udhëkryqin” s’e prekte kush, sepse n’atë anonimitetin e tij kosovar ai nuk i dëftonte askujt për njerëzit dhe brengat që fshiheshin në faqet e tij. Shkruaja unë edhe gjëra tjera. Tregime, nove¬la, skica…, por i grisja pastaj, i hidhja. Vetëm ”Udhëkryqin” e ruajta, sepse në faqet e tij ishte Iliri, Shega, Nëna e Djalit dhe vegjëlia kosovare. Ata s’guxonin të humben, sepse i kisha amanet nga Kosova dhe duhej t’ua ruaja lulëkuqeve te saj.
Viti 1966 më gjeti në Suedi. Distanca e madhe gjeografike, ambienti i huaj, studimet universitare dhe hallet e rëndomta të mërgimtarit nuk më penguan t’i rikthehem edhe një herë dorëshkrimit të romanit. Jehona e vendi¬meve të Brioneve kish arritur deri në Uppsalë dhe unë isha gjithnjë i mendimit se ”Udhëkryqi” duhej të botohej atje ku pat zënë fill: në Kosovë. Problemi që më preokuponte tani ishte i natyrës estetike: të lehej ashtu siç ishte, në një gegërishte të” markës gjakovare ”, apo të shkruhej në një gjuhë të njësuar kombëtare, nga e cila isha tepër larg? Dhe si do t’ia dilja asaj detyre të rëndë, kur deri n’atë cak të kohës kishim lexuar më shumë serbisht se sa shqip? Lëvizja Kombëtare Serbe dhe ministri i saj famëkeq na kishin shpënë në zgripin e një varfërie aq të madhe shpirtërore sa shumë intelektualë të rinj nuk e dinin se kishte apo nuk kishte shkrimtarë shqiptarë edhe përtej Bjeshkëve të Nemura…
Ndonëse në rrethana të jashtëzakonshme dhe krejtësisht i vetmuar, zgjodha rrugën e dytë. Krahas studimeve univer¬sitare dhe suedishtes e bëra edhe një përpunim të dytë të ”Udhëkryqit”, duke e qëruar nga serbizmat e shumta dhe vulgariteti që ishte përvjedhur në gjuhën e tij si rezul¬tat i shtypjes së paskrupullt rankoviqjane. Problemi i gjuhës dhe drejtshkrimit do të zgjidhej me kohën, por unë isha larg dhe punën kryesore duhej ta bëja vetë. Një ndihmë të madhe morale ma dhanë ish miqët e vjetër, të cilët më furnizonin me libra, albume dhe tekste tjerë shkollorë. Kësisoj, redaktimin e dytë e mbarova në vigjiljen e vitit 1969 dhe shpejt i rashë në fije se liria e shumë trumbetuar pasrankoviqjane ishte një vegim dhe se romani ”Udhëkryqi” duhej të priste.
Nuk shkoi gjatë dhe shpërthyen Demonstratat e 1968 – it. Kush e kujtonte romanin tani? Papandehur filluan proceset gjyqësore dhe faqet e gazetave jugosllave u mbushën me emra shokësh të njohur e të panjohur. Një pjesë goxha e mirë e kohës më shkonte në takime me shokët dhe shoqet e organizatës Amnesty International, e cila n’ atë kohë ishte thuajse e panjohur. Unë pata fatin të punoj me zonjën Eva Moberg, të bijen e shkrimtarit të madh suedez Vilhelm Moberg, zotin Paul Rimmer¬fors, zonjën Margareta Ekstrëm, zonjën Marianne de Lorenzi, zonjën Barbro Karabuda dhe shumë të tjerë, të cilët dinin fare pak ose aspak mbi aspiratat e popullit tonë të shumëvuajtur. Herë – herë kishim edhe keqkuptime për shkak të qëndrimeve të mia militante, të cilat ishin të kundërta me vijën paqësore të organizatës. Sidoqoftë, kontributi i tyre mbetet i padiskutueshëm në rastin e njerëzve si Hugo Blanco, Nelson Mandela, Ali Aliu, Kadri Halimi, Adem Demaçi, Hilmi Rakovica e shumë të tjerë që ishin dënuar pas burgosjeve masovike të vitit 1964.
Në vigjiljen e viteve 70- të zbrita në Suedinë Jugore. Tani isha në kontakte më të ngushta me popullin tim dhe situata premtonte më shumë. Shokët e vjetër më shkruanin shpesh dhe kurrë S’ harronin të më pyesnin se ç’ u bë me dorëshkrimin e romanit, por përgjigjja ime ishte e njëjta: Mirë është edhe kështu si është. E thosha këtë sepse isha thellësisht i bindur se shkrimtari i një populli është vetëdija e atij populli dhe detyra e tij primare është ta gjurmojë të vërtetën, e jo t’ i hallakasë shtrigat e natës. Duke ndjekur debatin e ri të shkrimtarëve kosovarë, duke parë titujt e një letërsie mbarë¬shqiptare që botohej në Kosovë, duke dëshmuar lindjen e një stine të re, kisha formuar bindjen se ” stina e kuçedrës” kishte ikur dhe popullin shqiptar e priste një ardhmëri më e mirë. ”Udhekryqi”, që i takonte një realiteti të hidhur, s’ duhej të binte në shputat e qarqeve reaksionare. Pas hapjes së Universitetit të Kosovës pritej të lindej një rini e kuqe, me ” yll në ballë”, dhe unë nuk ndieja kurrfarë ambiciesh për epitete si ” nacionalist” apo ”shqiptaromadh”, kur tërë jetën e kisha shkuar si shqiptarovogël dhe në radhët e të shtypurve e të shfrytëzuarve. Një qëndrim i tillë duhej mbajtur posaçërisht kundër fqinjëve serbë, të cilët janë po aq fajtorë për lindjen e një kërme si Rankoviqi, sa dhe populli shqiptar për tradhtitë e një kërme si Esat Pashë Toptani. Kushdo që e ka lexuar veprën e Tucoviqit e kupton se për çka e kam fjalën.
Viti 1981 na nxori përsëri në udhëkryq. Jo sepse rinia shqiptare nuk e dinte rrugën e saj, por sepse Lëvizja kombëtare serbomadhe, të cilën e njohim nga tregimet e Radoje Domanoviqit, për-sëri na rrasi nëpër këneta e moçale. Në vend se të ecë në drejtim të fshatit Bujan, nga është rruga më e sigurt për të gjitha palët, ajo është kredhur deri në fyt në moçalet e Danubit plak dhe po e thërret ezhdërhanë të vijë nga Deti i Zi… T’i hypë edhe një herë Kosovës mbi bark dhe të ngopet me gjakun e atyre që kanë qëndruar në udhëkryq dhe nuk janë të gatshëm t’ i shkojnë prapa…Mirëpo, kjo s’guxon të bëhet shkas që ta fajësojmë vegjëlinë serbe, sepse ajo, nga të gjitha të mirat që ka, e ka dhe një traditë të keqe: iu shkon prapa kapedanëve që janë qorra në sy dhe shurdhavela në veshë. E kemi për detyrë si fqinj të tyre dhe luftëtarë më të sprovuar në çështje lirie t’i dëftojmë se rruga e Millosheviqit është një batak i mbarsur me mushkonja e sëmundje ngjitëse, por s’jemi të detyruar t’i shkojmë prapa, sepse secili popull e ndjek rrugën e vet..
Në këto rrethana romani ”Udhëkryqi” s’ka pse rri në ”ilegalitet” sepse përshkruan një epokë, e cila, për dallim nga epokat tjera të njerëzimit, ndërzehet me vetveten. Në një kohë kur popujt më të prapambetur të botës po i hedhin vargonjtë e roberisë, Lëvizja e Rrashtambledhësve Serbë po i arreston, torturon dhe dënon me gjykime drakoniane bijt dhe bijat më të shtrenjta të Kosovës Mëmë…
Shkaqet që më shtynë ta lëshoj ” Udhëkryqin” në këtë gjendje të paredaktuar janë sa ekonomikë, aq edhe letrarë e didaktikë. Si roman, ” Udhekryqi ” është një dokument i kohës së vet, sepse dëfton se cilat ide dhe cili realitet e mbante të papërkulur gjeneratën e Rexhep Elmazit dhe Metush Krasniqit. Ai u shkrua për lexuesit e paktë të viteve 60-të dhe çdo gdhendje e re do ta zhvishte nga koha e tij. Ai u shkrua për t’u dëftuar lexuesve të rinj se dashuria e shqiptarit për liri, barazi e socializëm të vërtetë mbeti e pashuar edhe pas atij gjaku që u shprish ne vitet 50-të, kur me mijëra shqiptarë ikën në drejtim të Anatolisë. Vështruar nga ky aspekt, ” Udhëkryqi” mund të lexohet edhe sot.
Shkaku kryesor është, padyshim, nevoja e madhe për letërsi të ditës. Rinia jonë po i përjeton ethet e para të mërgimit. E degdisur në katër skutat e Evropës, e shfrytëzuar, e përçarë…Si para, por veçanërisht pas Demo¬nstratave të vitit (1981), ajo përjetoi gjëra të llahtarshme. Ajo u rrah e u torturua nga gardianët e Lubiçiqit, por nuk u përkul. Ajo nxori nga radhët e veta një gojëmbël si Jusuf Gërvalla, një sypatrembur si Kadri Zeka, një të palodhur si Bardh Gërvalla, një sypetrit si Nuhi Berisha, një zemërluan si Rexhep Mala e sa e sa luanë të tjerë, por nuk po e sheh veprën e vet të mishëruar në një dramë të madhe, në një roman apo simfoni madhështo¬re. Një numër jashtëzakonisht i madh shokësh që ishin edhe pjesëmarrës aktivë në ato ngjarje rrëqethëse, po heshtin. Heshtja e atyre në vendlindjen e robëruar është e kuptu¬eshme, por heshtja në mërgim nuk arsyetohet. Kjo duhet të na dëshpërojë të gjithëve, veçanërisht ne që jemi më të vjetër.
Sa e sa heroizma u shkruan me gjak? Sa e sa motra tona mbeten me duar në gji? Sa e sa shokë dhe shoqe po na kalben nëpër burgje? Heroizmat e rinisë sonë janë xixa të vërteta patriotizmi e atdhedashurie dhe ato duhet të mishërohen e të skaliten në vepra dinjitoze.
Romanin ” Udhëkryqi” po e lëshoj në qarkullim në një kohë kur ulurimat e Lëvizjes serbomadhe po dëgjohen deri në brigjet e Detit Baltik. Se a do t’ia nxjerrin gjumin shpëtimtares së tyre, Kuçedrës me shtatë krerë, do ta dëftojë koha, por që tani e dimë se ëndrra e mjekërgjatëve të Mihajlloviqit është të na vrasin, të na torturojnë dhe të na degdisin përtej Bjeshkëve të Nemuna. Po ata s’ mund të na vrasin të gjithëve. Vrasja më e madhe që mund ta bëjnë është ta shpijnë Serbinë e Madhe atje ku e shpuri Hitleri Gjermaninë Fashiste.
Unë jam i bindur se aspiratat e popullit tonë do të realizo¬hen një ditë. Ato janë aspirata njerëzore dhe detyra ynë është të punojmë natë e ditë për realizimin e tyre. Kontri¬buti im modest duhet parë në bindjen time të patundur se populli ynë do ta mundë robërinë. Ashtu siç e ka mundur gjithnjë gjatë rrjedhës se shekujve.
Malmö, 19 korrik 1988