Në Velekincë të Gjilanit po vazhdojnë punimet në ndërtimin e Tregut të Kafshëve, e drejtues të Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”, janë shprehur të kënaqur me dinamikën e punëve që po shkojnë sipas parashikimeve dhe që Komuna e Gjilanit, vitin e ardhshëm do ta ketë në funksion tregun më modern në rajon, që do t’i përmbush nevojat, jo vetëm të fermerëve të Anamoravës, por edhe me gjerë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Kryeshefi ekzekutiv i NPL “Tregu” në Gjilan, Avdyl Jerliu, ka bërë me dije se Tregu do të ketë sipërfaqe prej dy hektarësh, është duke u ndërtuar nga Ndërmarrja “Tregu’ dhe bashkëfinancohet nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Gjilanit. Ai ka vlerësuar lartë edhe operatorin punëkryes, Kompaninë “XHEVDA MAAE”, e cila, deri më tani, ka treguar përkushtim, duke ecur me dinamikë e duhur dhe duke respektuar kontratën me përpikëri.
“Ky treg do të jetë model për gjithë regjionin e më gjerë. Tani për tani, vlerësohet se do të jetë tregu më i mirë në nivel vendi, që është duke u ndërtuar. Në të kaluarën nuk kemi pasur këso lloj tregjesh, me të vërtetë ato ekzistuese kanë punuar në kushte të mjerueshme dhe edhe Gjilani nuk ka bë përjashtim, por tani, jemi duke e ndërtuar një treg modern për t’iu krijuar kushte më të mira fermerëve dhe gjithë atyre që do të operojnë në këtë treg”, ka thënë Jerliu, transmeton 2LONLINE.com.
Ai ka falënderuar kreun e komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, që këtë projekt, por edhe projekte tjera të ndërmarrjes “Tregu”, i ka marr dhe po i merr me shumë dashamirësi dhe me shumë mbështetje nga vetja e tij, për të ndërtuar tregje moderne, e për t’i modernizuar ato ekzistuese në komunë.
Kryeshefi i kësaj ndërmarrje ka falënderuar poashtu edhe Komisionin Evropina të cilët e kanë mbështetur këtë projekt madhor për komunë ne Gjilanit i cili deri në finalizim të punimeve do të kapë shifrën prej gjysmë milioni euro. Krejt këto mjete janë të buxhetueshme.
“Edhe pse jemi në kohë pandemie, fatmirësisht deri këtu nuk ka pasur ngecje në asnjë moment. Projekti është zhvilluar në dinamikën e përcaktuar më herët dhe jemi të kënaqur edhe me punimet që janë duke u kryer nga operatori, që është ndërmarrja private “XHEVDA MAAE”, që me të vërtetë është duke punuar me shumë vullnet e përkushtim dhe është duke e respektuar kontratën me përpikëri. Përkushtimi i tyre na ka bërë, me të vërtet, edhe neve të besojmë se ky projekt nuk do të ketë ngecje por do të realizohet sipas planifikimit deri në përfundimin e tij”, ka thënë Avdyl Jerliu, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se hapësirat e këtij tregu janë të dedikuar për kafshët e trasha, kafshët e imta dhe shpezët.
Përndryshe, si ndërmarrje “Tregu”, Jerliu tha se janë duke bashkëpunuar ngushtë me partnerëte tyre ndërkombëtarë dhe me Komunën e Gjilanit dhe se janë në fazën e projekteve ideore edhe për tregjet tjera, si Tregun e Rërës, Tregun e Veturave dhe të Lëndëve Djegëse, të cilat po mendohet, nëse do të kenë mundësi t’i inkorporojnë në këtë pjesë, për të pasur një kompleks të të gjitha tregjeve, për ta përmbyllur kështu ciklin e tregjeve për të cilat ka nevojë Komuna e Gjilanit por dhe regjioni. /2LONLINE.com/