Ne, shqiptarët qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë e kudo qofshin, jemi krijesa të çuditshme. Çdo ditë e shohim se jemi një popull për gjynah, dhe asnjë grimë përpjekje për me ndryshua këtë indeks nuk e bëjmë. Të gjithë flasim për të kaluarën, e jetojmë të tashmen “rrup e skup”, dhe ja fusim gjumë për të ardhmen.
Shkruan: Ardian Azemi
Jemi popull mendjemadh, secili nga ne para të tjerëve prezantohet ashtu siç dëshiron të jetë, jo ashtu siç realisht është. Ne, nuk arrijmë ta njohim vetën tonë, dalim përtej saj dhe natyrisht bëhemi fals.
Kemi turp nga vetvetja, nga prejardhja dhe nga ata që realisht jemi. Për të qenë ma modern, ne nënshtrohemi, përbuzim vetveten qoftë për një interes sado i vogël qoftë.
Arma e vetme që kemi në dorë, është kritika ndaj tjetrit, atëherë kur ne nuk bëjmë kurrgjë ndryshe nga tjetri. Ne vuajmë nga komplekset për tu dukur të mençur.
Gjithashtu, e kemi pikë të dobët të dukemi bukur, anipse mosha e bënë të vetën. Ne shëmtohemi edhe më shumë duke vuajtur se po plakemi. Pra, rëndësi për ne ka lëkura, fytyra e njomë, jo ajo çka kemi nën lëkurë.
Jemi popull që i dimë të gjitha; një ekonomist të flet për bujqësi, një jurist për mjekësi, një inxhinier për integrime evropiane, një bujk për infrastrukturë rrugore, ndërsa nuk dimë shkrim-lexim mirë.
Askush asnjëherë nuk e kryen punën e tij, përderisa të flet për shumë gjëra, madje jo rrallë herë i hyjmë temave si; kush ndikoi që sot president i SHBA-ve është Trump, dhe nëse amerikanët kanë me ia pa ose jo sherrin këtij presidenti!
Për ne, problemi i vetëm që kemi, janë emra të përvetshëm në politikë, ndërsa për sistemin nuk na bënë fort. Ky nuk bënë, ai nuk bënë, as ata nuk bëjnë, madje edhe këta janë një bërllog, ndërsa harrojmë se ai, ky, këta e ata, janë ose nipi im, ose i juaji, mund të jetë daja im, ose një tezak juaji, mbi gjitha jemi një brumë. Edhe ai, edhe ky, këta por edhe ata, votat nuk i kanë marrë në Kinë, por këtu, mes nesh, jush, tek të gjithë!
Për neve si popull, dy e më shumë veta bashkë, janë dështim, sepse unë dua të jem, pse ti..?! Për ne, individi është i suksesshëm, sepse si i tillë nuk ka konkurrencë. Puna ekipore, pa xhelozi e pa inate, tek ne nuk ekziston. S’ka rëndësi nëse e njëjta ombrellë na mbulon, unë dua të jem ai që mbanë dorezën e ombrellës. Ju më tregoni rrugën, por bëhuni të padukshëm, sepse unë dua të jem në sipërfaqe.
Pra, jemi një popull që preferojmë të pimë çaj të shtrirë në krah, këmbët mbi tavolinë mundësisht, dhe të flasim për të tjerët; si çika filanit ish cullakue, që fqinji i dytë në lagje po rri veç në ballkon, përderisa punët për vete i kemi llugë.
Ne si popull, duhet të merremi me vetën tonë, ta kuptojmë njëherë e mirë se ndryshimet ndodhin veç atëherë kur nisemi nga vetvetja. Veç atëherë kur e kuptojmë se kjo që sot po ndodh është pasojë e disa vendimeve që janë marrë para shumë vitesh.
Ne duhet ta kuptojmë se mendjemadhësia veç çka ti “pshtjellavë” punët, nuk bënë zgjidhje dhe të largon nga njerëzit.
Duhet ta kuptojmë se jemi për gjynah, veç tu i kuptua këto, e kemi mundësinë me ia ndriçua vetës rrugën e së ardhmes