Java e 29-të e Superligës së Kosovës në futboll doli të jetë javë me bereqet për skuadrat gjilanase, pasi që të dyja skudrat që bëjnë gara në elitën e futbollit kosovar, Drita dhe Gjilani shënuan fitore tejet të rëndësishme, skuadra e parë në garën për titull kampioni, ndërsa skuadra tjetër në “luftën” e saj, për t’i ikur zonës së barazhit.
Në një ndeshje me plotë gola, në stadiumin e qytetit në Gjilan, FC Drita ka mundur Lirinë me rezultat 4 me 2.
Realizatorë për skuadrën bardh e kaltër:, Meris Maliqi 8’, Blerim Krasniqi 49′, Fluturim Domi [autgol] 57′ dhe Albert Dabiqaj 85′. Derisa, skuadra e Lirisë shënoi dy herë në fund të takimit, gola të pamjaftueshëm për të ndikuar në epilogun e takimit.
Drita me këtë fitore ka 57 pikë dhe e pozicionuar në pozitën e dytë, dy pikë më pak se lideri Ballkani, i cili poashtu sot fitoi ndaj Feronikelit ’74.
Edhe skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani ka realizuar sot një fitore shumë të rëndësishme, madje duke e mundur si mysafirë një skuadre si Prishtina, me rezultat 3 me 1. Lojtarët si Kushtrim Shabani 57’, Qëndrim Ismajli 71’ dhe Oltion Bilalli 90’+3’ me i dhuruan Gjilanin tri pikë të vlefshme dhe tani kjo skuadre ka 33 pikë dhe ndodhet në pozitën e 7-të të tabelës së klasifikimit.
Janë këto tri pikë shumë të vlefshme për skuadrën kuq e bardh, për t’iu shmangur barazhit edhe për faktin se pretendenti tjetër, që synon të largohet nga kjo zonë, Feronikeli ’74 , sot ka pësuar humbje dhe mbetet në pozitë ne 8-të, por tani me 30 pikë.
Nesër në orar janë edhe ndeshjet tjera të kësaj jave: Dukagjini – Llapi e Fushë Kosova – Malisheva./2LONLINE/