Behar Ramadani shef i Divizionit për Hulumtime, Analiza dhe Statistika në Ministrinë e Punëve të Brendshme tha se kjo fushatë po nis me Gjilanin do të realizohet në krejt Kosovën dhe se për herë të parë po organizohet me përkrahjen dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të MPB-së, e që ka për qëllim ngritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Ramadani tha se me aktivitetet e parapara në kuadër të javës së sigurisë dëshirohet të sensibilizohet opinioni i gjerë e posaçërisht të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë vigjilent gjatë pjesëmarrjes në komunikacion, sepse edhe një jetë po të humbet në trafik do të ishte shumë.
Ndërsa, edhe komandanti i Trafikut Rajonal në Gjilan, kapiteni Maliq Hajdini tha se ky plan operativ që po ndërmerret është për të mirën , në rend të parë, të shkollarëve, të atyre që përherë parë ulen në banka shkollore, pra që bëhen pjesë e komunikacionit.
Hajdini tha se fokusi do të jetë afër shkollave ku do të ketë angazhim më të madh të policisë së trafikut me qëllim të ngritjes së sigurisë afrë shkollave e në veçanti të atyre shkollave që janë në rrugët magjistrale ku edhe rrezikshmëria është më e madhe.
Ai tha se janë vizituar shkollat, është biseduar me drejtor, janë marrë periudhat kohore të ndërrimeve,dhe në atë periudhë kohore edhe vëmendja e policisë së trafikut do të jetë më e madhe.
Po ashtu do të ketë edhe ligjërata nëpër shkolla e veçmas me fillestarët që edhe ata ti mësojnë rregullat elementare të trafikut.
Hajdini tha se fokusi do të jetë megjithatë më tepër në rrugët regjionale sepse shkollat që janë afër këtyre rrugëve janë me të rrezikuara për shkak që edhe vozitja aty bëhet me shpejtësi më të madhe. Ai me ktë rast edhe ka përmendur disa prej shkollave ku do të ketë kujdes më të shtuar nga ana e policisë si në shkollat në Bresalcë, Velekincë, Partesh, Radivojcë, te shkolla “Abaz Ajet” e të ngjashme. /2lonline/