Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Muharrem Nitaj, ka dhënë dorëheqje. Gjithashtu kanë dhënë dorëheqje edhe anëtarë të tjerë të Këshillit Drejtues, të cilët janë emëruar nga Ministria e Arsimit.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë dhënë dorëheqje edhe tre anëtarët e tjerë që vijnë nga pjesa jashtë universitetit, ndërkohë që pesë anëtarë të tjerë që janë zgjedhur nga Senati kanë vendosur të mos japin dorëheqje, deri në një zgjidhje tjetër.
Anëtarët e dorëhequr e kanë marrë këtë vendim si shenjë të reflektimit për situatën e krijuar në UP, të bindur se ky hap do të kuptohet si vullnet për tejkalimin e gjendjes. Dorëheqja ka pasuar presionet politike të ardhur edhe nga një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton RTK.
Ndërkohë, në një njoftim për media, kryetari i Këshillit Drejtues, Muharrem Nitaj, thotë se në pamundësi për të kryer detyrat në përputhje me kompetencat që kam dhe duke mos dashur të jem pjesë e një dështimi katastrofik në Universitetin e Prishtinës, jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së.
”Në pamundësi për të kryer detyrat në përputhje me kompetencat që kam dhe duke mos dashur të jem pjesë e një dështimi katastrofik në Universitetin e Prishtinës, jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së.
Situata e krijuar në Universitetin e Prishtinës, është më e rënda e krijuar që nga viti 2000, dhe sot janë atakuar funksionet më vitale të tij. Në një situatë të tillë, kërkohen vendime të rëndësishme për Universitetin dhe në pamundësi për t’i ndërmarrë ato nga pozita që kam, vendimi më i arsyeshëm për mua, është dorëheqja e parevokueshme.
Do të ishte katastrofike sikur rënja e Universitetit të Prishtinës, të shënonte fillimin e rënjës së shtetit, prandaj studentët, profesorati dhe opinioni publik do të duhej të viheshin në mbrojtje të tij.
Politika edhe këtë herë e ka plagosur rëndë institucionin më të lartë të dijes në vend!”, thuhet në njoftimin për dorëheqje të Nitajt.
Të shtunën dha dorëheqje rektori i UP-së Ibrahim Gashi, ndërkohë dje dha dorëheqje i gjithë menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës.