Behar Mehmeti drejtor i DSHP-së ka thënë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline” se së shpejti pritet të fillojë sanimi i gropave dhe i dëmtimeve tjera të rrugës në drejtimin Gjilan -Velekincë.
Sipas tij, me përfundimin e këtyre rrugëve pastaj do të shikohen mundësit e riparimit të rrugëve tjera nëpër fshatrat e komunës së Gjilanit dhe edhe aty ku ka nevojë për një gjë të tillë.
Mehmeti tha se mirëmbajta verore e rrugëve po bëhet nga kompania “Bejta Comerce”, e cila pas kërkesës së qytetarëve, këto ditë po ashtu ka bërë edhe hapjen e një rruge mjaftë të rëndësishme, asaj Stublinë – Miresh, që është një arterie shumë e rëndësishme për banorët e fshatrave Stublinë-Dobrosin e Miresh, për të komunikuar mes vete dhe për të shkëmbyer prodhimet.
Sa i përket riparimit të rrugëve dhe trotuareve në kuadër të projektit të mirëmbajtjeve verore të rrugëve, Mehmeti ka thënë se është bërë një vëllim i madh i punës por ka veçuar ato që janë bërë në lagjet “Dardania 1” dhe “Dardania 2”, ku janë riparuar të gjitha rrugët që është vlerësuar se kanë nevojë për sanim, kurse ato që kanë qenë të dëmtuara mbi 50 për qind kanë mbet të fillohet me rregullimin, trasimin e rrugës.
Me gjithë këtë angazhim që është duke u bërë rreth mirëmbajtjes verore të rrugës, drejtori Mehmeti nuk ka mohuar faktin se ka ankesa të qytetarëve për gropa në rrugë, ku ka raste kur gropa të tillat mbesin ashtu me ditë të tëra deri sa të mbushen.
Por, Mehmeti thotë se këto shqetësime të drejta të qytetarëve, ua kanë përcjellë menjëherë kompanisë mirëmbajtëse, të cilës i kanë dërguar vërejtje dhe nga e cila kanë kërkuar të jetë sa më azhure, për të mos lejuar që gropat në rrugë të qëndrojnë me ditë të tëra, por të bëhet ndërhyrje e menjëhershme. /2lonline/