KKMSH: Janë edhe 79 raste aktive të qytetarëve vitias të prekur me COVID-19, të vazhdohet me respektimin e masave dhe të parandalohet përhapja.
Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Vitisë (KKMSH), ka mbajtur sot takimin e rregullt.
Gjatë këtij takimi në veçanti është folur për menaxhimin e situatës epidemiologjike në këtë komunë dhe u theksua se janë akoma 79 raste aktive të qytetarëve të prekur me këtë virus.
Kreu i kësaj komune, Sokol Haliti, i cili edhe kryeson këtë komitet tha se respektimi i masave mbrojtëse nga qytetarët është në nivel të kënaqshme.
Megjithatë ai ju bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me respektimin e masave me qëllim që të mos këtë rritje të personave të prekur me këtë virus dhe të ruhet shëndeti publik
Haliti potencoi se kjo komunë po vazhdon edhe me masat e klorifikimit dhe dezinfektimit të hapësirave të ndryshme.
Gjithashtu ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos stigmatizohen personat të prekur apo edhe personat e shëruar nga koronavirusi pasi që çdo kush mund të infektohet.
Kurse Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili dhe Skënder Ahmeti, Drejtor i Inspekcionit në Viti, kanë folur për bashkëpunimin e tyre në respektimin e masave kundër përhapjes së këtij virusi.
Në këtë takim u bë me dije se gjithashtu ka pasur edhe mbyllje të lokaleve të cilat nuk i kanë respektuar masat mbrojtëse.
Gjithashtu u bë me dije se Njësia e Profesionale Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit në Vigti ka bërë klorifikimin e hapësirës në fshatin Letincë, shkaku i festës së Zojës së Letnicës, e cila sivjet po zhvillohet me masa mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK-së./2LONLINE.com/